Këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit, Abdul-Selam Selami, ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj dy punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup. Sipas tij, ata dyshohet se janë rrahur nga një grup personash të panjohur në natën e festës së Ditës së Flamurit, 28 Nëntorit.
Selami kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet kompetente që të ndërmarrin masa urgjente, ta zbardhin plotësisht rastin, si dhe t’i identifikojnë dhe t’i vënë para drejtësisë personat përgjegjës.
“Asnjë punëtor nuk duhet të jetë viktimë e dhunës gjatë ushtrimit të detyrave të tij të punës!”, shkruan Selami.
Ai kërkon gjithashtu nga Kryetari i Qytetit dhe nga NP “Higjiena Komunale” sqarim për rastin, mbrojtje të punëtorëve të tyre dhe dënim të këtij akti.
“Grupet që prishin qetësinë e qytetarëve, rrahin dhe maltretojnë qytetarët, të dalin sa më shpejt para organeve të drejtësisë!”, thekson këshilltari i BDI-së.

