Gjatë festimit të Ditës së Flamurit Shqiptar, në rajonet e Sektorëve për Punë të Brendshme në Shkup, në Tetovë, në Ohër dhe në Kumanovë, janë regjistruar gjithsej 13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike.
“Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr masa intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të të gjitha ngjarjeve. Deri më tani janë ngritur dy kallëzime penale për veprat penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“ dhe „përpunimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i palejuar i armëve ose lëndëve shpërthyese“. Janë përpiluar gjithashtu 10 procesverbale për kundërvajtje të konstatuara, ndërsa tre persona janë privuar nga liria.
Në rajonin e SPB Shkup janë regjistruar shtatë shkelje të rendit dhe qetësisë publike, në zonat e Bit Pazarit dhe Gjorçe Petrovit. Janë përpiluar shtatë procesverbale për kundërvajtje ndaj katër personave, prej të cilave tri për heqjen, grisjen ose dëmtimin e simboleve shtetërore dhe simboleve të bashkësive etnike, një për zënka, britma ose sjellje të pahijshme dhe të paturpshme, si dhe tri kundërvajtje nga fusha e sigurisë në komunikacion – drejtimi i automjetit pa patentë shoferi, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe lëvizja në drejtimin e kundërt. Është ngritur kallëzim penal ndaj një fëmije për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“, sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Gjatë ndërmarrjes së masave për zbardhjen e ngjarjeve, dy persona janë privuar nga liria.
Në rajonin e SPB Tetovë janë regjistruar dy shkelje të rendit dhe qetësisë publike nga ana e fëmijëve, të cilët kanë përdorur mjete piroteknike në sheshin e qytetit në Tetovë, si dhe një ngjarje gjatë së cilës flamuri shqiptar është vendosur në një automjet policie. Po ndërmerren masa për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe do të parashtrohen parashtresa përkatëse.
Në rajonin e SPB Ohër janë regjistruar dy shkelje të rendit dhe qetësisë publike, në Kërçovë dhe Strugë. Në Kërçovë, në sheshin e qytetit janë vendosur disa flamuj të Republikës së Shqipërisë, pas çka është përpiluar procesverbal për kundërvajtje të kryer. Në Strugë, në një shkollë fillore janë vendosur flamuj të Republikës së Shqipërisë, pa u theksuar flamuri i Maqedonisë. Pas masave të ndërmarra, ndaj personit përgjegjës në shkollë do të parashtrohet kërkesë për inicimin e procedurës kundërvajtëse.
Në rajonin e SPB Kumanovë është regjistruar një ngjarje gjatë defilimit me automjete nëpër zonën qendrore të qytetit. Zyrtarët policorë kanë vërejtur dy persona, nga të cilët njëri është arratisur, ndërsa tjetri është ndaluar. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur një pistoletë e markës „Cërvena Zastava“ dhe një karikator me pesë fishekë. Personi është privuar nga liria nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „përpunimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i palejuar i armëve ose lëndëve shpërthyese“, sipas nenit 396 të Kodit Penal.
MPB vazhdon për ndërmarrjen e masave të zbardhjes së plotë të të gjitha ngjarjeve të regjistruara dhe veprime në përputhje me kompetencat ligjore”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Tre persona të privuar nga liria gjatë festimeve të 28 Nëntorit, MPB-ja me detaje

Ndani këtë artikull
