Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në një intervistë për edicionin e lajmeve të Ora News, ka deklaruar se përparësi e bashkëpunimit me Shqipërinë është infrastruktura rrugore, përkatësisht realizimi i Korridorit 8.
“E para që do të bëhet, do të kemi infrastrukturë dhe rrugë. Po punojmë intensivisht të dyja qeveritë për realizimin e Korridorit 8”, deklaroi Durmishi.
Sipas tij, tashmë po përgatiten punimet për pjesën e aksit të Korridorit 8 nga Tetova në Gostivar. Më pas vjen pjesa nga Gostivari në Bukojçan, e kështu me radhë deri në Ohër, për t’u lidhur me Qafë Thanën.
“Edhe për tregun, edhe për biznesin, edhe për qytetarët, çështja kryesore është rruga”, theksoi ministri.
Durmishi shtoi se Shqipëria dhe Kosova, me këtë afërsi, mund të japin kontribut edhe më të veçantë në arsim, kulturë dhe shkencë. Ky kontribut ekziston edhe tani, por sipas tij duhet të rritet.
“Pse e them këtë? Sepse shumica e shqiptarëve të Maqedonisë studiojnë në Tiranë dhe Prishtinë, dhe pasi t’i përfundojnë studimet, komunikimet e tyre vazhdojnë me studentët dhe kolegët e tjerë”, tha Durmishi për Ora News.

