Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti, së bashku me kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Edi Rama, bashkëkryetarin e VLEN-it Bilall Kasami dhe zëvendëskryeministrin Bekim Sali, mori pjesë në përurimin e sistemit të përbashkët kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë.
Me këtë rast, Mexhiti rikujtoi se para 20 vjetësh, në të njëjtën pikë kufitare, ishte përballur me pengesa për sjelljen e bustit të Skënderbeut në Shkup, i cili sot qëndron në sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar.
Ai theksoi se sot, në të njëjtin vend, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po ndërmarrin hapa konkretë për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, përmes kontrolleve të përbashkëta kufitare me vetëm një ndalesë.
Sistemi nis zbatimin në Qafë Thanë dhe përfshin edhe pikat kufitare Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht. Për Mexhitin, përurimi pikërisht më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit, ka një domethënie të veçantë, duke e cilësuar këtë si një mënyrë konkrete për të lehtësuar lidhjet mes qytetarëve të të dyja vendeve.


