Lufta “për pastrimin e mbetjeve në Shqipëri” të organizatës Feto, të klerikut Fetullah Gylen, të cilën Ankaraja e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016, ishte pjesë e diskutimeve që u zhvilluan të martën në mbrëmje në Ankara mes presidentit turk Tayyip Erdogan dhe kryeministrit Edi Rama. Kjo u bë e ditur nga vetë zoti Erdogan në përfundim të mbledhjes së Këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë Strategjik, një strukturë e parashikuar nga marrëveshja e partneritetit strategjik të firmosur mes dy vendeve në vitin 2021. Sipas zotit Erdogan kjo organizatë “vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona”.
Prej vitesh të gjitha autoritetet e larta turke i kanë mëshuar kësaj teme në thuajse të gjitha takimet me partnerët shqiptarë, duke e deklaruar publikisht atë. Rasti më i fundit ishte pak javë më parë gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan, i cili theksoi “ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje”.
Në vitin 2022 gjatë vizitës së tij në Shqipëri tonet e presidentit Erdogan kishin qenë të prera. “Çështjen e Feto-s e shohim si parakusht të vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit tonë strategjik” ishte shprehur ai gjatë fjalës së tij në parlamentin shqiptar gjatë asaj vizite duke shtuar se priste “që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen për këtë arsye. Shpresoj që kjo çështje në vizitat e ardhshme të ketë marrë formë të prerë”. Sipas tij, anëtarë të organizatës FETO vepronin në fusha të ndryshme në Shqipëri, përfshirë dhe drejtimin e Komunitetit musliman shqiptar. Një element i cili ka bërë që të mbetet ende pezull dhe inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.
Këtë herë, presidenti turk ishte më i përmbajtur, ndërsa rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Ankarasë, kundër FETO-s. “Ne nuk do të lejojmë që rrjeti i poshtër që tenton të helmojë marrëdhëniet tona përmes organizatës terroriste FETO të ketë sukses. Po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Në kuadër të mirëkuptimit lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë”, tha ai.
Zoti Rama i shmangu komentet e tij për këtë temë. Publikisht autoritetet shqiptare i janë përmbajtur qëndrimit se ata e trajtojnë këtë rast në përputhje me kushtetutën dhe ligjin shqiptar, si dhe në respekt të detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin europian. Megjithatë në shtator të vitit 2022, vendimi për mbylljen e aktivitetit të kolegjit turk Mehmet Akif, një istitucion arsimor jopublik dhe kopështit për fëmijë “Zübeyde Hanım”, pjesë e “Turgut Ozal Education”, ngriti dyshime se pas atij veprimi qëndronte kërkesa e përsëritur e Ankarasë. Por dhe në atë kohë zoti Rama u shpreh se e nuk ka vend për teori konspirative dhe se qëllimi i vetëm ka qenë “zbatimi i barabartë i ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë”.
Qeveria shqiptare ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Ankaranë, falë dhe një raporti të ngushtë personal mes kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan, i cili ka qenë shpesh në qendër të kritikave për metodat e tij autoritariste në drejtimin e vendit të tij.
Zoti Rama vuri në dukje tre momente të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve: njohjen nga ana e Ankarasë së pavarësisë së Kosovës, pak pasi ajo u shpall nga parlamenti i saj, si dhe ndihmën e Turqisë në rastin e tërmetit e më pas dhe furnizimin e sasive të para me vaksina kundër Covid 19. “Këto janë tre momente, në njëfarë mënyre, mes jetës dhe vdekjes që nuk harrohen dot kurrë”, theksoi zoti Rama.
Të dy udhëheqësit vunë në pah bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, duke u zotuar që të forcohen edhe më tej shkëmbimet tregtare që tanimë kanë kapur shifrën e 1 miliard dollarëve, ndërkohë që investimet private turke në Shqipëri përllogaritej në mbi 3.5 miliard euro.
Gjatë vizitës në Ankara u firmosën dhe 6 memorandume e marrëveshje që përfshijnë fusha të ndryshme nga mjedisi, mediat, te programet e zhvillimit dhe ato ushtarake.