SHBA paralajmëron qytetarët në Europë: Kujdes në festa, tregje dhe zona me turma

2 Min. Leximi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka publikuar një alarm sigurie për qytetarët amerikanë, duke u kërkuar atyre të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve dhe qëndrimit në Europë me afrimin e sezonit të festave.

Njoftimi, i publikuar më 16 nëntor, ka shtrirje europiane dhe nuk lidhet me një kërcënim specifik vetëm në Kosovë.

Sipas Ambasadës amerikane, grumbullimet e mëdha dhe aktivitetet publike mund të shndërrohen në objektiva të mundshëm për grupe terroriste apo individë të radikalizuar që veprojnë të vetëm.

Autoritetet amerikane paralajmërojnë se sulme të mundshme mund të ndodhin me pak ose aspak paralajmërim, veçanërisht në vende turistike, tregje, qendra transporti, qendra tregtare, objekte kulti dhe hapësira të tjera publike.

Qytetarëve amerikanë u kërkohet të tregojnë vigjilencë të shtuar në festivalet dhe aktivitetet festive, si dhe në zonat turistike me numër të madh vizitorësh.

Ambasada paralajmëron gjithashtu për mundësinë e problemeve në udhëtime gjatë sezonit të festave, për shkak të protestave, grevave dhe incidenteve të tjera.

Në njoftim theksohet se gjatë nëntorit kërcënime të rreme për bomba kanë goditur aviacionin civil në disa vende europiane, duke shkaktuar ndërprerje dhe vonesa fluturimesh.

Departamenti amerikan i Shtetit rekomandon që udhëtarët të ndjekin lajmet lokale, të shmangin demonstratat dhe zonat me prani të madhe policore, të jenë të kujdesshëm me sendet personale dhe të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara udhëtimit për të verifikuar nëse ka ndryshime apo anulime fluturimesh.

Amerikanëve që ndodhen jashtë vendit u rekomandohet gjithashtu regjistrimi në programin STEP, i cili u mundëson të marrin njoftime dhe përditësime sigurie nga autoritetet amerikane.

Ambasada këshillon qytetarët të ndjekin në çdo rast udhëzimet e policisë dhe autoriteteve lokale, veçanërisht në rast evakuimesh apo devijimesh të fluturimeve.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull