Këshilltari i VLEN-it në Komunën e Butelit, Usein Ramadani, i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës, Darko Kostovski, pas deklaratave të tij për kriminelë dhe banditë në Komunën e Butelit.
Ramadani ka reaguar duke kërkuar nga Kostovski të ketë kujdes me fjalët që përdor dhe ka paralajmëruar padi private për, siç i cilëson, shpifjet dhe etiketimet publike ndaj tij.
“Unë, Usein Ramadani, në jetën time nuk kam pasur asnjë vepër penale. Kam ndërtuar emrin tim me punë, me ndershmëri, me integritet dhe me respektin e njerëzve”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka theksuar se kërkesa për respektimin e ligjit dhe llogaridhënie nuk mund të cilësohet si banditizëm apo kriminalitet, duke e akuzuar kryetarin e Butelit se po i përdor këto etiketime për interesa politike.
“Për këto shpifje dhe etiketime publike, do të ngre padi private dhe për pretendimet e tua do të përgjigjesh para organeve kompetente”, ka paralajmëruar këshilltari i VLEN-it.
Reagimi i Ramadanit vjen pasi Kostovski, pas mungesës së tij në një seancë të Këshillit Komunal, deklaroi se disa persona kishin marrë “guxim”, duke humbur kontrollin, ndërsa shtoi se “rrahjet, zhurmat, kriminelët dhe banditët janë e kaluar në Komunën e Butelit”.
Përplasja publike mes kryetarit të komunës dhe këshilltarit të VLEN-it vjen në vazhdën e tensioneve në Këshillin Komunal të Butelit.

