Albi Qamili: BDI-së i ra maska me Alta bankën, dy vjet na helmuan me propagandë për Botën serbe!

2 Min. Leximi

Zv/kryetari i komunës së Tetovës, Albi Qamili ka reaguar ashpër ndaj BDI-së lidhur me çështjen e Alta bankës, duke akuzuar ish pushtetin për hipokrizi politike dhe lidhje të dyshimta afariste me qarqe serbe.

“Bota serbe, Bota serbe, tap Alta banka e lëshuan bajrakun!”, shkruan Qamili, duke theksuar se për dy vjet me radhë BDI-ja ka ndërtuar propagandë politike kundër VLEN-it, duke e akuzuar për afrimitet me Botën serbe, ndërkohë që dokumentet e publikuara, sipas tij, nxjerrin në pah një histori krejt tjetër.

Qamili thekson se dokumenti dëshmon se Qeveria e atëhershme e BDI-së, me kërkesë të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, kishte iniciuar procedurat për hyrjen e Alta bankës në Maqedoninë e Veriut.

Ai ngre gjithashtu pikëpyetje për pronësinë e mëparshme të aksioneve të bankës, të blera nga kompania AS Senjak, duke pretenduar se pronari i saj ka lidhje familjare me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.

“E zeza në të bardhë. Por kjo histori nuk përfundon këtu. Alta banka i ka blerë aksionet nga kompania AS Senjak te e cila si pronar rezulton një njeri me lidhje familjare me Ali Ahmetin, përkatësisht krushku i tij”, shprehet Qamili.

Ai rikujton edhe mbështetjen e BDI-së për projektin Open Balkan, duke e akuzuar këtë parti se sot përdor retorikë patriotike, ndërsa në të kaluarën kishte promovuar bashkëpunimin rajonal me Serbinë pa Kosovën.

“Nuk jam i sigurt nëse duan ta gënjejnë popullin apo ndërgjegjen e tyre. Këta janë të njëjtit njerëz që për dy vjet rresht sulmojnë VLEN-in, ndërsa vetë e bënë Open Balkanin me Serbinë dhe pa Kosovën”, thekson Qamili.

Në fund, ai përdor një gjuhë të ashpër politike, duke paralajmëruar se e vërteta për marrëdhëniet dhe interesat e dikurshme do të dalë në shesh.

“Por, si thoshte Ali Ahmeti, do vijnë te Ura e Siratit. Menduan se dëshmitë për jaranitë e tyre i fshehin në bunar, por Zoti të korit ditën e pazarit!”, ka theksuar Qamili.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull