Shkup, 19 shkurt – Nuk kanë të ndalur informacionet shqetësuese për uljen e numrit të popullatës në Maqedoninë e Veriut, e veçanërisht për uljen e numrit të fëmijëve nëpër shkolla. Lajmi i sotëm ka ardhur nga Tetova, ku trendi i mbylljes së klasave në shkollat fillore dhe të mesme nuk po ndalet, kurse statistikat e këtij viti shkollor janë edhe më negative, shkruan Zhurnal. Sipas këtyre statistikave, krahasuar me vitin e kaluar, sivjet në shkollat fillore dhe të mesme janë regjistruar 1300 nxënës më pak.
Klasat po zbrazen, shkollat do të mbyllen, institucionet po krihen!
Prindërit janë ende në kërkim të fletshpërnguljeve për fëmijët e tyre dhe shkak, siç theksojnë në sqarimet e tyre, është migrimi në vendet e Evropës Perëndimore. “Për fat të keq, trendi i rënies së numrit të nxënësve nuk e tejkalon as Komunën e Tetovës. Vitet e fundit, ka pasur më pak nxënës të regjistruar çdo vit shkollor. Për shembull, këtë vit shkollor në shkollat e mesme janë regjistruar 500 nxënës më pak, në shkollat fillore rreth 800. Në Komunën e Tetovës gjatë gjashtëmujorit të parë janë tërhequr 160 nxënës nga shkollat , ndërsa deri në fund të këtij viti shkollor ky numër pritet të rritet në 250. Rënia e numrit të nxënësve krijon problem edhe për stafin mësimdhënës, një numër i madh mësuesish përballen me humbjen e vendit të punës për shkak të mbylljes së paraleleve. Arsyeja kryesore për gjithë këtë është emigrimi në vendet e huaja”, tha për “Sloboden Peçat”, Milena Vuçevska, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Nga ana tjetër, rrethi i miqve të tetovarëve po ngushtohet nga muaji në muaj. Nuk ka asnjë banor të qytetit, që të mos ketë të afërmi apo mik që nuk është shpërngulur jashtë shtetit me familjen e tij.
Nëse më herët largoheshin vetëm për arsye ekonomike, tani arsyet e largimit nga Tetova, por edhe për mbarë vendin janë të shumëanshme, thonë qytetarët. Për eksodin masiv në Tetovë flet edhe imazhi i stacionit të autobusëve në Tetovë, ku linja më e rregullt është Tetovë – Berlin dhe Tetovë-Zurih, nga ku tetovarët kohën fundit janë duke blerë bileta vetëm për një drejtim. Mirëpo kjo dukuri, si duket nuk po i shqetëson kompetentët, të cilët sillen sias fjalës popullore “Fshati po digjet, plaka po krihet”. Një ligj të mirë, në mesin e ligjeve të rralla të mira që kishim nga qeverisja e Nikolla Gruevskit, ishte ai për fëmijën e tretë dhe të katërt. Në fakt, fillimisht nuk ishte Ligj i mirë, sepse ishte projektuar kryesisht për komunat me shumicë maqedonase, por më pas e bëri “të mirë” Gjykata Kushtetuese me vendimin që të vazhdon në mbarë vendin, shkruan Zhurnal. Ligji parashihet asistenë në vlerë prej 8.000 denarëve në afat prej 10 viteve për familjet që u lindte fëmiu i tretë, kurse për familjet që u lindte fëmiu i katërt parashiheshin beneficione edhe më të mëdha, si asistencë e përjetshme e deri në mundësinë që nënat që lindin fëmiun e katërt të fitojnë edhe të drejjtën e pensionit kur të arrijnë moshën e caktuar, pa marë parasysh nëse plotësojnë kushtet tjera për pension.
Fryma negative nga koha e qeverisjes së Gruevskit vazhdoi në shumë sfera, por Ligji për fëmijën e tretë dhe të katërt u shfuqizua, në vend që të ndodhë e kundërta: ky ligj të mbetet në fuqi, kurse të këqijat tjera të zhduken. Por tani kur nga shfuzimi i ligjit kanë kaluar 5-6 vite, është koha e fundit që trendet e fundit negative të ndezin alarmin dhe të fillohet të mendohet për ligj të ri të ngjashëm, sa nuk është bë vonë, shkruan Zhurnal. Fillimisht duhet pasur parasysh se sot nuk duhet të sillet ligj për fëmiun e tretë dhe të katërt, por për fëmiun e parë dhhe të dytë, sepse gjërat kanë ndryshuar mjaft në krahasim me para 12-13 viteve, kur u miratua ligji i lartpërmendur.
Poashtu sot nuk mund të flitet për asisstencë prej 8.000 denarëve si stimul për rritjen e natalitetit, sepse 8 mijë denarët e sotëm nuk vlejnë as sa 4 mijë denarë nga koha kur u soll ligji tashmë i shfuqizuar.
Nataliteti në minus edhe në fshat edhe në qytet!
Gjithsesi se nuk duhet bërë gabimi fillestar që ligji të projektohet vetëm për komunat me shumicë maqedonase, sepse gjendja është brengosëse kudo, edhe atë jo vetëm në bazë të përbërjes etnike, por në bazë të gjitha parametrave tjera që kanë komunat dhe vendbanimet. Këtë e tregojnë edhe të dhënat zyrtare, që konfirmojnë se dukuria është shqetësuese edhe në perëndim edhe në lindje, edhe në veri edhe në jug të vendit. Situata është shqetësuese edhe në zonat urbane edhe në ato rurale.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, numri i foshnjeve të lindura të gjalla në zonat urbane në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 10 866 fëmijë ose 60.1 % nga numri i përgjithshëm i tyre, kundrejt 7 207 ose 39.9 % fëmijë të lindur nëpër zonat rurale. Siç përcjell KlanM, pjesëmarrje më të madhe në raport me numrin e përgjithshëm të lindjeve, ka Rajoni i Shkupit me 39.6 %, ndërsa më pak në Rajonin Lindor me 6.6 %, shkruan Zhurnal.“Numri i personave të vdekur nëpër zonat urbane është 14 354 ose 63.9 % persona, kundrejt 8 105 ose 36.1% persona të vdekur nëpër zonat rurale. Sipas rajoneve, pjesëmarrje më të madhe në raport me numrin e përgjithshëm të personave të vdekur ka Rajoni i Shkupit 31.0 %, a më të vogël ka Rajoni Verilindor me 7.7 %. Numri i foshnjeve të vdekura nëpër zonat urbane është 34, ndërsa në ato rurale 24”, thuhet në raportin e EShS-së.
Shtimi natyror te popullsia, sipas raportit, është negativ dhe arrin në -3 488 persona dhe -898 persona në zonat rurale. Enti Shtetëror i Statistikës ka publikuar edhe të dhënat e lidhura me martesat dhe divorcet, krahasuar sipas raportit fshat-qytet. “6 975 ose 51.1 % e martesave të lidhura janë në zonat urbane dhe 5 907 ose 45,9 % në zonat rurale. Në zonat urbane janë 1005 divorce, pra 62.3%, ndërsa në zonat rurale janë 608 ndarje, pra 37.7% e numrit të përgjithshëm të divorceve”, thuhet në raport. Të dhënat për migrimin e brendshëm në kuadër të rajonit të njejtë tregojnë se pjesmarrje më të madhe prej 37.9% kanë zhvendosje nga ato rurale në ato urbane kundrejt zhvendosjeve ndërqytetëse me 9.4.
Nga migrimet e përgjithshme fshat-qytet në nivel të rajoneve, pjesmarrje më të madhe ka Rajoni Lindor me 49.0%, ndërsa në Rajonin e Pollogut pjesëmarrje më të madhe kanë shpërnguljet mes fshatrave, të cilët marrin pjesë me 54.4%. Bilanci më i madh i migrimeve të jashtme është në Rajonin e Shkupit, 1 450 persona ndërsa më e vogël në Rajonin Jugperëndimor gjegjësisht 172 persona./Zhurnal