Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka komentuar raportet me BDI-në dhe mbështetjen që, sipas tij, VLEN-i i ka dhënë Arkin Jahiu në zgjedhjet lokale në Bërvenicë.
Në një deklaratë në emisionin Verdikt në TVM 2, Mexhiti tha se kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, pas raundit të parë kishte shkuar në shtabin e Arkin Jahiu për t’ia uruar fitoren, ndërsa edhe ai vetë kishte shprehur publikisht mbështetje për të gjatë një debati.
“BDI nuk janë mësuar t’i mbështesin të tjerët kur bëhet fjalë për shqiptarët në të njëjtën mënyrë, kështu që ne ua lëmë qytetarëve. Ashtu siç e bëri kandidati ynë, Jakup Huseini, i cili shkoi në shtab dhe ia uroi fitoren në raundin e parë Arkin Jahiu, edhe unë në një debat i kam dhënë mbështetje publike Arkin Jahiu”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se nuk do të habitej nëse kjo mbështetje nuk do të vlerësohej nga pala tjetër.
“A falënderohen apo jo, nuk më habit nëse nuk janë falënderues dhe mirënjohës”, u shpreh Mexhiti.

