Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se VLEN është pjesë e Qeverisë si fitues i zgjedhjeve në kampin politik shqiptar, ndërsa ka kritikuar BDI-në për qëndrimin ndaj Ivan Stoilkoviq.
Duke folur në emisionin “Verdikt” në TVM 2, Mexhiti tha se nuk mund të ndërtohet një koncept politik në kampin shqiptar duke mbledhur vota nga komunitetet e tjera, si turqit, boshnjakët dhe romët.
“Ne jemi në Qeveri sepse në kampin shqiptar jemi fitues. Nuk mund të shkosh në zgjedhje me konceptin qytetar, t’i mbledhësh turqit, boshnjakët, romët, mund të të kujtohet nesër t’i marrësh edhe vllehët, ndoshta serbët”, deklaroi Mexhiti.
Ai iu referua edhe kritikave të mëhershme ndaj VLEN-it për qëndrimin ndaj Stoilkoviqit, duke theksuar se interpelancën ndaj tij nuk e ka iniciuar BDI-ja, por LSDM-ja.
“Vazhdimisht e kanë akuzuar VLEN-in për Stoilkoviqin, ndërsa sot interpelancën nuk e bën BDI-ja ndaj Stoilkoviqit, por LSDM-ja. Këta edhe në opozitë nuk kanë guxim ta sfidojnë Stoilkoviqin dhe Vuçiqin, sepse kanë pasur projekte të përbashkëta si ‘Open Balkan’ dhe investime të tjera”, tha Mexhiti.

