Planifikimi i mjeteve financiare për vitin 2027 nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) nuk nënkupton organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Bëhet fjalë për sigurimin e funksionalitetit të sistemit për identifikimin biometrik të votuesve, pasi në gusht të vitit 2026 ka skaduar kontrata dhe garancia për pajisjet e furnizuara në vitin 2021 nga kompania gjermane Dermalog.
KSHZ-ja është e obliguar të sigurojë funksionimin e këtij sistemi, pasi sipas Kodit Zgjedhor, procesi i votimit realizohet përmes pajisjeve për identifikim biometrik.
Për këtë arsye, institucioni ka njoftuar Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për nevojën e planifikimit të mjeteve të nevojshme në buxhetin e vitit 2027, me qëllim të vazhdimit të funksionimit të sistemit.
Bëhet fjalë për një proces të rregullt institucional dhe teknik, që lidhet me skadimin e kontratës me operatorin ekonomik Dermalog dhe nevojën për një furnizim të ri të shërbimeve për mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e pajisjeve.
Ndërkohë, zgjedhjet e ardhshme të rregullta parlamentare janë të parapara për vitin 2028. Prandaj, interpretimet se planifikimi i mjeteve për sistemin biometrik paralajmëron zgjedhje të parakohshme nuk kanë bazë në këtë proces financiar.

