Demokrati Abdul El-Sayed ka fituar garën për një vend në Senatin amerikan, duke mundur kandidatin republikan Mike Rogers në shtetin e Michiganit, sipas projeksioneve të Decision Desk HQ dhe raportimeve të mediave amerikane.
El-Sayed, me profesion mjek dhe pjesë e krahut progresist të Partisë Demokratike, pritet të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gjatë fjalimit të fitores, ai iu drejtua mbështetësve me fjalët: “Michigan, ia dolëm!”.
Pas fitores, demokrati nuk la pa komentuar as zëvendëspresidentin JD Vance, duke iu referuar ceremonisë së betimit në janar. “JD, habibi im, ka një ironi të këndshme në faktin se je i detyruar kushtetues të më betosh në janar”, deklaroi ai, duke përdorur një shprehje arabe që përkthehet si “i dashur”.
Fitorja e El-Sayed vjen pas një fushate të tensionuar, e shoqëruar me përçarje brenda Partisë Demokratike. Ish-kandidatja demokrate Hayley Stevens, të cilën El-Sayed e kishte mundur në zgjedhjet paraprake të gushtit, vendosi vetëm dy ditë para votimit të mbështeste republikanin Mike Rogers. Vendimi shkaktoi reagime të forta në radhët e demokratëve.
Kreu i grupit demokrat në Senat, Chuck Schumer, e cilësoi veprimin e Stevens si një “tradhti”, ndërsa disa prej bashkëpunëtorëve të saj dhanë dorëheqjen. Stevens e justifikoi mbështetjen për Rogers me kundërshtimet e saj ndaj qëndrimeve të El-Sayed dhe lidhjeve të tij me komentatorin politik Hasan Piker.

