Rrahje masive mes grupeve tifoze maqedonase në Shkup, një i plagosur transportohet me urgjencë
Një përleshje masive ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Shkup, në afërsi të Qendrës Sportive “Jane Sandanski”, në lagjen Aerodrom.
Sipas raportimit të “360 Stepeni”, përleshja ka ndodhur në kryqëzimin mes bulevardit “ASNOM” dhe rrugës “Vasko Karangeleski”, ku janë përfshirë disa persona.
Nga pamjet e publikuara shihet prania e ekipeve policore në vendngjarje, ndërsa një person i lënduar është parë i shtrirë në rrugë. Pas pak minutash, në vendngjarje ka arritur edhe një ekip i Ndihmës së Shpejtë, i cili e ka transportuar të lënduarin drejt një institucioni shëndetësor.
Dyshohet se në përleshje janë përfshirë grupe tifozësh maqedonas, megjithatë kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
“360 Stepeni” raporton se ka kërkuar informacione nga Ministria e Punëve të Brendshme, por deri në publikimin e raportimit nuk kishte marrë përgjigje.
Shkaqet e përleshjes dhe identiteti i personave të përfshirë mbeten ende të paqarta.

