Investigimi: Si Trump rrëzon dhe krijon qeveritë në vende të ndryshme!

6 Min. Leximi

Në mars të këtij viti, presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një takim me ministrin polak të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, gjatë të cilit, sipas një rindërtimi të publikuar nga radioja polake TOK FM, i kërkoi të ndihmonte në rrëzimin e qeverisë së Polonisë.

Kosiniak-Kamysz drejton Partinë Popullore Polake, një nga forcat më konservatore të koalicionit qeverisës të kryeministrit të qendrës së djathtë, Donald Tusk.

Trump synonte që partia të largohej nga koalicioni, të rrëzonte qeverinë dhe të krijonte një shumicë të re me partitë e ekstremit të djathtë në opozitë, të cilat administrata amerikane i konsideron më të gatshme për bashkëpunim.

Përpjekja, nëse ka ndodhur siç është raportuar, nuk pati sukses. Kosiniak-Kamysz ia tregoi menjëherë bisedën kryeministrit Tusk dhe qeveria mbijetoi, të paktën për momentin.

Nuk ka konfirmim zyrtar se Trump i kërkoi ministrit të rrëzonte qeverinë, por reagimet e politikanëve polakë i ushqyen dyshimet. Tusk deklaroi se biseda kishte qenë delikate dhe kishte përfshirë “situatën e brendshme të Polonisë”.

“Një ditë historia do ta marrë vesh!”, shtoi ai. Edhe ministri i Jashtëm, Radosław Sikorski, shkroi në rrjetet sociale se takimi kishte pasur si qëllim përpjekjen për të përfshirë një shtet të huaj në politikën e brendshme polake.

Polonia nuk është rasti i vetëm ku lindin dyshime për ndërhyrjen e administratës Trump në politikën e vendeve evropiane. Ditët e fundit, vëmendja është përqendruar te rrëzimi i qeverisë rumune, në maj të këtij viti, dhe te roli i mundshëm i ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

Ish-partnerja e Donald Trump Jr., djalit të presidentit amerikan, Guilfoyle ka lidhje të ngushta me rrethin trumpist dhe me vetë presidentin. Ajo ka qenë më parë e martuar edhe me Gavin Newsom, guvernatorin aktual demokrat të Kalifornisë.

Sipas një artikulli të Wall Street Journal, gjatë vitit të fundit ajo është shndërruar në një figurë me ndikim të konsiderueshëm në politikën greke dhe në rajonin përreth, duke u përpjekur t’i bindë qeveritë të lidhin marrëveshje energjetike me sipërmarrës që kanë lidhje me të.

Artikulli përshkruan edhe një takim të saj me ministrin grek të Energjitikës, Stavros Papastavrou. Gjatë bisedës për krizën politike në Rumani, Guilfoyle la të kuptohej se Shtetet e Bashkuara kishin pasur rol në zhvillimet që çuan në rënien e qeverisë.

Më pas, sipas gazetës, ajo shtoi: “Ne mund ta bëjmë këtë në të gjitha vendet që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu…”, duke iu referuar Greqisë. Kërcënimi dyshohet se e zemëroi ministrin grek dhe takimi përfundoi në një konflikt verbal.

Rënia e qeverisë rumune ishte e pazakontë. Ajo u mundësua nga një aleancë e papritur mes Partisë Socialdemokrate, të qendrës së majtë, dhe partisë së ekstremit të djathtë Aleanca për Bashkimin e Rumunëve.

Të dyja partitë bashkuan votat për të rrëzuar kryeministrin Ilie Bolojan. Mediat rumune kanë raportuar gjithashtu se Guilfoyle ishte takuar në Bukuresht me përfaqësues të socialdemokratëve në mars.

Një muaj më vonë, partia u largua nga qeveria, ndërsa në maj votoi për rrëzimin e saj. Politikanët rumunë të përfshirë në atë komplot dhe administrata Trump, i kanë mohuar pretendimet për ndërhyrjen e ambasadores.

Megjithatë, edhe britanikja Financial Times ka konfirmuar, përmes burimeve të veta, takimet e Guilfoyle në Rumani dhe Greqi. Mbetet e paqartë se sa ndikim patën këto kontakte.

Është e vështirë të besohet se qeveria rumune ra vetëm për shkak të presioneve të saj, por nuk përjashtohet që ato të kenë luajtur një rol. Këto raste nuk provojnë ekzistencën e një komploti të madh amerikan kundër Evropës.

Gjithsesi, ato tregojnë një stil diplomatik agresiv, përmes të cilit Uashingtoni ndërhyn në çështjet e brendshme të vendeve të tjera dhe mbështet politikanët që i konsideron më të favorshëm për interesat e veta.

Trump është më i drejtpërdrejtë se shumica e paraardhësve të tij në përdorimin e ndikimit amerikan për të ndihmuar aleatët politikë.

Një shembull i qartë është Hondurasi, ku vitin e kaluar ai mbështeti kandidatin e djathtë Nasry Asfura dhe kërcënoi se do të ndërpriste ndihmën amerikane nëse ai nuk fitonte.

Asfura i fitoi zgjedhjet. Ndërsa në Poloni, Trump ka treguar hapur preferencën për presidentin Karol Nawrocki, të ekstremit të djathtë dhe kundërshtar të Tuskut, duke shpërfillur kryeministrin.

Vitin e kaluar, ai kërkoi që në takimet ndërkombëtare për Ukrainën të merrte pjesë Nawrocki dhe jo Tusk. Dyshimet për presione dhe kërcënime të fshehta ndaj qeverive evropiane i japin kësaj çështjeje një dimension edhe më shqetësues.

Veprimtaria e Guilfoyle duket se synon veçanërisht t’i bindë vendet e Evropës Juglindore të blejnë më shumë gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara. Dhe këto presione mund të jenë efektive edhe kur nuk çojnë drejtpërdrejt në rezultatet e dëshiruara.

Duke iu referuar marrëdhënies mes Guilfoyle dhe qeverisë greke, Wall Street Journal shkruan se pala greke druhet ta ketë kundër ambasadoren amerikane.

Ky është një tregues se në diplomacinë e administratës Trump, ndikimi nuk ushtrohet vetëm përmes marrëveshjeve, por edhe përmes frikës nga pasojat e kundërshtimit. \tesheshi.com\

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull