Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do t’i japë 62 vota, bashkë me deputetët e komuniteteve, nëse PDK-ja zotohet se do t’i sigurojë gjysmën e votave të deputetëve të saj për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër kandidaturës së Sejdiut.
“Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.
Kurti ka kërkuar nga PDK-ja që, nëse është kundër kandidaturës së Sejdiut, ta shprehë këtë përmes votës.
“Nëse PDK-ja është kundër Sejdiut atëherë unë u them shpreheni me votë. Mos votoni për, veç votoni. Ndoshta është momenti i tillë që ndoshta 6 nga deputetët e LDK-së mund të na bashkëngjitet. Unë besoj që nëse do ta kishim një votë të tillë të përbashkët vështirë që edhe Sejdiu do të thoshte ‘jo nuk do ta shpëtojë Kosovën’”, ka thënë Kurti.

