Procesi i reformës së legjislacionit zgjedhor pritet të rikthehet në një dinamikë aktive institucionale. Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua sot takimi konsultativ i grupit të punës, ku morën pjesë edhe përfaqësues të partive politike.
Në fokus të diskutimeve ishin çështjet e hapura dhe mundësitë për tejkalimin e dallimeve që deri tani kanë penguar avancimin e reformës.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, tha se procesi duhet të mbështetet në dialog institucional dhe në propozime konkrete, duke theksuar se Kodi Zgjedhor nuk duhet të shihet si pronë e asnjë partie politike.
Sipas tij, qëllimi është krijimi i një legjislacioni zgjedhor stabil, transparent dhe të parashikueshëm, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
“Kjo është një reformë që i tejkalon interesat e politikës së ditës. Është një reformë që prek çdo qytetar, sepse rregullat zgjedhore janë të lidhura drejtpërdrejt me besimin në procesin demokratik dhe në institucione. Qytetarët kanë të drejtë për rregulla zgjedhore që nuk krijohen sipas interesit politik të momentit, por sipas parimeve që sigurojnë një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe demokratik”, tha Shasivari.
Shasivari apeloi që dallimet politike të mos shndërrohen në pengesë për përmirësimin e sistemit zgjedhor.
“Nuk pres që të pajtohemi të gjithë për gjithçka. Por pres që të dialogojmë. Integrimi evropian nuk është vetëm deklaratë politike. Ai nënkupton reforma, institucione të fuqishme, sundim të ligjit dhe rregulla që vlejnë njësoj për të gjithë. Prandaj, në vend që të kërkojmë se kush do të jetë fituesi politik i një debati, duhet të kërkojmë zgjidhjen më të mirë për qytetarët dhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, tha ministri Shasivari.
Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se procesi do të vijojë përmes konsultimeve me të gjithë aktorët relevantë, ndërsa synimi është që ndryshimet e ardhshme të jenë rezultat i një procesi gjithëpërfshirës, institucional dhe të qëndrueshëm.

