Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se shtetet e vogla nuk kanë të njëjtën hapësirë për ndryshime strategjike që kanë fuqitë e mëdha dhe se një llogaritje e gabuar gjeopolitike mund të ketë pasoja afatgjata për vendet me madhësi më të vogël, transmeton Anadolu.
“Fuqitë e mëdha kanë hapësirë për ndryshime strategjike që shtetet e vogla thjesht nuk e kanë. Për një fuqi të madhe, një llogaritje e gabuar gjeopolitike mund të nënkuptojë ndryshim të strategjisë. Për një vend të vogël, i njëjti gabim mund të nënkuptojë një dekadë të humbur”, tha Mickoski në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Për këtë arsye, theksoi ai, shtetet e vogla nuk mund të jenë indiferente ndaj rregullave ndërkombëtare dhe as të supozojnë se ato do të mbrohen vetë.
Sipas tij, bota që po merr formë karakterizohet nga konkurrencë më e ashpër dhe një rishpërndarje e fuqisë, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet fuqive të mëdha po ndikojnë gjithnjë e më shumë në tregti, teknologji, energji, lëndët e para kritike, rrugët e transportit dhe infrastrukturën digjitale.
Ai tha se ajo që dje konsiderohej ndërvarësi ekonomike, sot shihet gjithnjë e më shumë si çështje e sigurisë kombëtare.
“Globalizimi nuk po zhduket. Ai po riformësohet. Zinxhirët e furnizimit po ndryshojnë. Prodhimi po bëhet përsëri një çështje gjeopolitike”, tha Mickoski.
“Maqedonia e Veriut e di orientimin e saj strategjik”
Duke folur për aleancat dhe orientimin strategjik të vendit, Mickoski tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut e dinë se ku i përket vendi.
“Ne jemi aleat i NATO-s. SHBA-ja është partneri ynë strategjik. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian (BE) është angazhimi ynë strategjik. Këto nuk janë tre politika të ndara. Ato përbëjnë një orientim të vetëm gjeopolitik, një orientim të bazuar te demokracia, siguria kolektive, sundimi i ligjit dhe ekonomia e hapur”, tha ai.
Më tej, Mickoski tha se bota nuk ka nevojë për një tjetër ndarje në kampe të përhershme, por për konkurrencë me kufij dhe rregulla që duhet t’i respektojnë të gjithë.
Ai theksoi se bota ka nevojë për aleanca që marrin përgjegjësi dhe institucione ndërkombëtare që mbeten hapësirë për dialog, veçanërisht atëherë kur dialogu është më i vështirë. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e OKB-së.
“Prandaj OKB-ja ka rëndësi. Jo sepse mund të zgjidh çdo konflikt, është e qartë se nuk mund ta bëjë këtë. Jo sepse çdo rezolutë zbatohet, është e qartë se kjo nuk ndodh gjithmonë”, tha Mickoski.
Sipas tij, këto kufizime nuk duhet të dekurajojnë vendet, por duhet të forcojnë vendosmërinë për të mbrojtur OKB-në dhe rregullat mbi të cilat ajo është themeluar.
Ai bëri thirrje për multilateralizëm të mbështetur në vlera, respekt të ndërsjellë dhe rregulla, duke argumentuar se një botë pa një hapësirë ku të gjitha shtetet, pavarësisht madhësisë së tyre, mund të ulen nën të njëjtën çati dhe të mbështeten në të njëjtat parime do të ishte edhe më e rrezikshme se bota e sotme.
“Për shtetet e vogla, zbatimi i barabartë i rregullave është thelbësor”
Mickoski tha se besimi në sistemin ndërkombëtar po vihet në pikëpyetje sepse shumë njerëz kanë përshtypjen se rregullat nuk zbatohen në mënyrë të barabartë, se fuqia ndonjëherë prevalon mbi parimin dhe se angazhimet mund të jenë të kushtëzuara. Ai e cilësoi këtë situatë veçanërisht të rrezikshme për shtetet e vogla.
“Historia jonë na ka mësuar se kompromiset ndërkombëtare janë shumë të vështira dhe se paqja, stabiliteti dhe integrimi kërkojnë guxim politik dhe sakrifica të mëdha”, tha Mickoski.
Duke iu referuar historisë së Maqedonisë së Veriut, ai tha se vendi ka bërë vazhdimisht kompromise dhe lëshime në emër të paqes, bashkëpunimit dhe integrimit. Nëse shtetet e vogla pritet t’u përmbahen rregullave, theksoi Mickoski, atëherë rregullat duhet t’u ofrojnë atyre edhe parashikueshmëri.
“Nëse kandidatëve për anëtarësim në një organizatë u kërkohet të përmbushin kritere të caktuara, atëherë përmbushja e këtyre kritereve duhet të çojë në përparim”, tha ai.
Ai shtoi se një rregull që zbatohet sot nuk mund të jetë ndryshe nesër vetëm sepse ka ndryshuar ekuilibri i fuqive dhe se një angazhim i ndërmarrë nuk mund të jetë thjesht një lehtësi politike e përkohshme.
Duke folur për integrimin evropian të vendit të tij, Mickoski tha se Maqedonia e Veriut nuk do ta braktisë idenë evropiane për shkak të vështirësive në rrugën drejt BE-së.
“BE-ja mbetet për ne shtëpia jonë e natyrshme politike, ekonomike dhe institucionale”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, ai pranoi se vendi ka përgjegjësi për punën e brendshme, duke përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, ndërtimin e institucioneve më efektive, krijimin e një ekonomie më konkurruese dhe forcimin e besimit të qytetarëve në shtetin e tyre.
Megjithatë, ai tha se Maqedonia e Veriut pret që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në merita dhe kritere të matshme dhe jo një proces ku çështjet dypalëshe mund të ndryshojnë vazhdimisht objektivat.
“Ne nuk po kërkojmë një rrugë më të lehtë. Po kërkojmë një rrugë të udhëhequr nga rregullat. Nuk po kërkojmë standarde më të ulëta. Po kërkojmë që standardet të mbeten standarde”, tha ai.

