Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të vazhdojë gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, pasi javën e kaluar iu dorëzua organeve hetimore në vend i akuzuari i parë, Perparim Bajrami, ish-drejtor i Lotarisë Shtetërore.
Pasi u arratis nga vendi, ndaj Bajramit ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar. Më 9 shtator, ai u dorëzua vetë në pikën kufitare “Bllacë”, pas së cilës u dërgua në burgun e Shkupit për vuajtjen e masës së paraburgimit të caktuar më herët.
Përveç Bajramit, në këtë rast janë të akuzuar edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, Metodija Dimevski, Skender Mexhiti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.
Në seancën gjyqësore që filloi javën e kaluar, të gjithë të akuzuarit u deklaruan se nuk ndihen fajtorë, me përjashtim të Bajramit, i cili në seancën e parë ende ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, si dhe të akuzuarit Bashkim Avdiu.
Avdiu deklaroi se nuk e kupton aktakuzën që i ngarkohet dhe kërkoi që ajo t’i dorëzohet me shkrim në gjuhën e tij amtare, shqipe.
Aktakuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, lidhet me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, përmes të cilave të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 596.125.511 denarësh.

