Liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, duke paralajmëruar vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh dhe realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore. Në statusin e publikuar, Mexhiti dhe Kasami e kanë cilësuar Kurtin mik të tyre dhe kanë theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes evropiane të rajonit, shkruan gazeta KOHA.
“E uroj mikun tim Albin Kurti për rizgjedhjen si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Në periudhën përpara nesh, dy vendet tona do ta vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh, në interes të qytetarëve tanë, me theks të veçantë te projektet e përbashkëta infrastrukturore, të cilat na afrojnë si asnjëherë më parë, dhe në ndërtimin e së ardhmes evropiane për rajonin tonë”, thuhet në status.
Mexhiti dhe Kasami kanë vlerësuar se institucionet stabile, të ndërtuara mbi vullnetin e qytetarëve, janë garancia më e mirë për qeverisje të përgjegjshme dhe të vendosur.
Një pjesë e statusit është interpretuar edhe si porosi e tërthortë për ministrin e Drejtësisë, nga radhët e VLEN-it, Jeton Shasivari. Ky i fundit shkaktoi reagime pasi kërkoi vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së të respektohet, ndërsa në deklaratën e tij foli për viktimat të të gjitha përkatësive etnike, duke i barazuar viktimat shqiptare me agresorin serb.
Pa e përmendur Shasivarin me emër, Mexhiti dhe Kasami deklarojnë se qëndrojnë pranë Kosovës dhe mbështesin plotësisht luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jemi pranë Republikës së Kosovës në këto momente me rëndësi historike, me mbështetje të plotë për luftën e pastër çlirimtare, mbi të cilën u ngritën themelet e Republikës së pavarur”, thuhet në reagim.
Dy liderët e VLEN-it theksojnë se ligji gjatë historisë është përdorur edhe për marrjen e vendimeve kundërthënëse, por se asnjë vendim i politizuar nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike.
“Historia njeh shumë raste kur ligji është përdorur për të marrë vendime kundërthënëse, por asnjë vendim i politizuar nuk mund ta fshijë një të vërtetë historike dhe asnjë autoritet nuk mund ta zhbëjë me një akt juridik atë që një popull e ka fituar me vetëmohim e sakrifica”, kanë deklaruar Mexhiti dhe Kasami.
Ky qëndrim i tyre vjen në kohën kur deklarata e ministrit Shasivari ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin shqiptar, ndërsa mbështetja e qartë e Mexhitit dhe Kasamit për luftën e UÇK-së nxjerr në pah dallimet brenda VLEN-it rreth qasjes ndaj procesit në Gjykatën Speciale. (koha.mk)

