Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, është takuar me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, me të cilin ka diskutuar për projektet dhe prioritetet që lidhen me zhvillimin kulturor dhe turistik të kryeqytetit.
Sipas Sulejmanit, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve është veçanërisht i rëndësishëm në prag të vitit 2028, kur Shkupi do të mbajë titullin “Kryeqyteti Evropian i Kulturës”.
“Fokus të veçantë i kushtuam ‘Shkupi 2028 – Kryeqyteti Evropian i Kulturës’ dhe nevojës që përgatitjet të zhvillohen me dinamikë të qartë, koordinim dhe rezultate konkrete”, deklaroi Sulejmani.
Në kuadër të vizitës, ministri dhe kryetari i Shkupit kanë inspektuar edhe punimet për rikonstruksionin e Sallës Universale, objekt që Sulejmani e cilësoi si një nga simbolet e qytetit dhe projektet më të rëndësishme kulturore.
Sulejmani tha se synimi është që punët në projektet prioritare të përshpejtohen dhe Shkupi të jetë i përgatitur për sfidën e vitit 2028.
“Qëllimi ynë është i qartë, realizim i përshpejtuar i projekteve dhe Shkup i përgatitur për vitin 2028”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se investimet nuk duhet të shihen vetëm si përgatitje për një ngjarje të rëndësishme kulturore, por edhe si kontribut për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe krijimin e projekteve me vlerë afatgjatë.
“Punojmë për trashëgiminë kulturore dhe projektet që do të mbeten për brezat që vijnë”, theksoi Sulejmani.

