Shqiptarja nga Struga synon Parlamentin suedez – Arijeta Reçi garon në tri fronte!

3 Min. Leximi

Nga Struga në politikën suedeze, Arijeta Reçi kërkon një tjetër sukses: më 13 shtator garon për komunën, rajonin dhe Parlamentin e Suedisë.

Një shqiptare nga Struga po synon të bëjë një tjetër hap të rëndësishëm në politikën suedeze. Arijeta Reçi, e cila prej më shumë se 14 vitesh është aktive në politikën lokale në Växjö, më 13 shtator 2026 kërkon votën e qytetarëve suedezë në tri nivele zgjedhore.

Reçi garon si kandidate e Socialdemokratëve për:

• Komunën e Växjö-s – nr. 7
• Rajonin Kronoberg – nr. 7
• Parlamentin e Suedisë – nr. 21

Aktualisht, ajo mban disa poste të rëndësishme në politikën komunale. Reçi është kryetare e dy komisioneve komunale dhe udhëheqëse e grupit të Socialdemokratëve në këshillin komunal, krahas përgjegjësive të tjera politike.

Për të, politika nuk është çështje titujsh, por përgjegjësie.

“Për mua politika nuk është titull apo pozitë. Është përgjegjësi”, shprehet Reçi.

Ajo thotë se synon një shoqëri me mundësi të barabarta, ku fëmijët të kenë mundësi të mira, të moshuarit të ndihen të sigurt dhe shkollat e sistemi shëndetësor të jenë të forta.

Por, krahas angazhimit politik, Reçi nuk e fsheh identitetin e saj shqiptar.

Struga dhe rrënjët shqiptare mbeten pjesë e pandashme e identitetit të saj, edhe pse jetën dhe karrierën politike e ka ndërtuar në Suedi.

“Jam shqiptare nga prejardhja dhe suedeze në vendin ku kam ndërtuar jetën time. Nuk kam pasur kurrë nevojë të zgjedh mes këtyre dy pjesëve të identitetit tim. I mbaj të dyja me krenari”, deklaron ajo.

Sipas Reçit, prejardhja apo vendi ku ka lindur një person nuk duhet të përcaktojë se sa larg mund të arrijë në jetë.

Tashmë, më 13 shtator, ajo synon të çojë edhe më tej rrugëtimin e saj politik, duke kërkuar votën në tri nivele – komunë, rajon dhe Parlamentin suedez.

Për shqiptarët nga Struga, kandidatura e saj përbën një tjetër histori të një bashkatdhetareje që ka arritur të marrë përgjegjësi të rëndësishme në jetën publike të Suedisë.

Nga Struga në Suedi, tani synimi është Parlamenti suedez.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull