Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) reagon më së ashpëri ndaj qëndrimeve të Ivan Stoilkoviçit, ministër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në lidhje me Ratko Mlladiqin, duke e vlerësuar këtë si një glorifikim publik të një njeriu të dënuar me vendim të plotfuqishëm për gjenocid, krime me të cilat është përballur njerëzimi dhe krime lufte.
Nga LSDM thonë se Stoilkoviç me qëndrimet e tij ka treguar qartë se cilat vlera i përfaqëson.
“Për të, Ratko Mlladiqi – i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – është një madhështi dhe hero. Për të, ai është ‘gjenerali i tij’ – në mes të Maqedonisë”, theksojnë nga partia.
Sipas LSDM-së, një paraqitje e tillë nuk mund të trajtohet vetëm si një qëndrim personal i një zyrtari qeveritar, veçanërisht për faktin se Stoilkoviç është ministër dhe pjesë e koalicionit qeverisës.
Nga partia e ndërlidhin këtë rast edhe me, siç thonë ata, ndikimin më të gjerë politik të konceptit të “botës serbe”, duke vlerësuar se në vend që Maqedonia të lëvizë drejt Evropës, drejt një shoqërie demokratike dhe prosperuese, mesazhet e tilla e kthejnë opinionin publik drejt politikave dhe konflikteve të viteve të nëntëdhjeta.
“Ministri në Qeverinë e Mickoskit glorifikon publikisht një njeri të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo nuk është as qëndrim personal e as ‘dallim kulturor’. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë se në këtë Qeveri ka vend për ata që i festojnë kriminelët e luftës nga faqet më të errëta të historisë ballkanike”, njoftoi LSDM.
Partia kërkon që kryeministri Hristijan Mickoski të prononcohet publikisht për veprimin e ministrit të tij.
“Mickoski duhet të përgjigjet – a është ky qëndrim zyrtar i Qeverisë së tij apo një shpërthim personal i ministrit të tij?”, pyesin nga LSDM.
Nga partia porosisin se “për të tillë si Stoilkoviç nuk ka vend në asnjë qeveri demokratike, evropiane dhe të qytetëruar”, duke shtuar se qytetarët e Maqedonisë nuk meritojnë një ministër i cili një kriminel lufte të dënuar me vendim të plotfuqishëm e quan “gjenerali im”.

