Turqia, Katari, Indonezia dhe Pakistani nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje

2 Min. Leximi

Turqia, Katari, Indonezia dhe Pakistani kanë nënshkruar memorandumin “Badr” për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimin e partneriteteve strategjike, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë, transmeton Anadolu.

Marrëveshja u nënshkrua sot në kryeqytetin e Katarit, Doha, nga ministrat e mbrojtjes të katër vendeve.

Nënshkruesit ishin ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, zëvendëskryeministri i Katarit dhe ministri i Shtetit për Çështjet e Mbrojtjes, Sheikh Saud bin Abdulrahman bin Hasan Al Thani, zëvendësministri i Mbrojtjes i Indonezisë, Yusuf Jauhari dhe ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Muhammad Asif.

Në ceremoni mori pjesë edhe kreu i Presidencës së Industrive të Mbrojtjes të Turqisë, Haluk Gorgun.

Bashkëpunim në shumë nivele

Marrëveshja, e quajtur “Badr”, që do të thotë “Hënë e plotë”, synon të nxisë bashkëpunimin në prodhimin ushtarak, të forcojë kapacitetet ushtarake dhe të mbështesë bashkëpunimin në trajnimin teknik ushtarak, kërkimin dhe zhvillimin, bëri të ditur ministria.

Ministria shtoi se kjo nismë do të ndihmojë në zhvillimin e zgjidhjeve dhe sektorëve industrialë në përputhje me përparimet në sistemet moderne të mbrojtjes.

Memorandumi ka rëndësi të madhe ekonomike për vendet nënshkruese, pasi bashkon kapacitetet e tyre përkatëse të prodhimit ushtarak, përmirëson integrimin dhe forcon industritë e tyre të mbrojtjes për të përmbushur nevojat e vendeve aleate dhe mike.

Sipas ministrisë, pritet që marrëveshja të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak mes vendeve pjesëmarrëse, të thellojë lidhjet në industrinë e mbrojtjes dhe të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh në mbështetje të sigurisë, stabilitetit dhe objektivave të përbashkëta.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull