Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë qytetarët se gjatë periudhës së fundit është vërejtur një rritje e sulmeve të tipitfishing, të cilat realizohen përmes mesazheve të rreme SMS, mesazheve elektronike, ueb faqeve , aplikacioneve mobile dhe mesazheve në rrjetet sociale.
“Mesazhet e rreme supozohet se vijnë nga Departamenti i Mjeteve Motorike, si njoftim nga sistemi “Qyteti i Sigurt” dhe në to është shënuar një link i rreme përmes të cilit qytetarët udhëzohen për të bërë pagesën e shkeljes së supozuar në trafik”, informojnë nga MPB.
MPB-ja u bën apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapin lidhje apo mesazhe të dyshimta dhe të mos ndajnë asnjëherë të dhëna personale, si numrat e kartelave bankare, fjalëkalimet apo identifikuesit personalë, përmes kanaleve të paautorizuara.
Gjithashtu, qytetarët duhet të kontrollojnë adresën e dërguesit – institucionet dhe kompanitë zyrtare përdorin domene zyrtare – të përdorin autentifikimin me dy faktorë (2FA) për mbrojtje shtesë të llogarive të tyre dhe të raportojnë mesazhet e dyshimta tek institucionet kompetente ose në bankën përkatëse.
Njoftimet SMS për shkelje të kryer duhet të vijnë nga dërguesi “MVR-SC”. Në tekst duhet patjetër të përfshihet targa e automjetit që ka kryer shkeljen, si dhe linku në formatin e mëposhtëm:
“https://safecountry.mvr.gov.mk…”
Nga Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme vazhdon me hetime aktive dhe ndërmerr masa për zbulimin dhe sanksionimin e autorë./Alsat.mk.

