Armata e Maqedonisë me njoftim për 34-vjetorin: Do të ketë qitje artilerie në Shkup, mos u shqetësoni

2 Min. Leximi

Me rastin e Ditës së Armatës, në kazermën “Ilinden” në Shkup, sonte në orën 19:00, njësia e batalionit të artilerisë së Armatës do të zhvillojë një qitje ceremoniale artilerie, me 10 breshëri nga 6 armë artilerie. Më herët, në orën 18:00, do të zhvillohet një qitje provë me një breshëri me 6 gjuajtje.

34-vjetori i Armatës do të shënohet edhe në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip, me një parakalim të Batalionit të 2-të të Këmbësorisë dhe njësive të tjera të Armatës.
Në këtë ceremoni, siç njoftuan nga Shtabi i Përgjithshëm, do të marrin pjesë përfaqësues të komandës së lartë të Armatës, kryetarë komunash nga zona e përgjegjësisë së Batalionit të 2-të të Këmbësorisë, drejtorë dhe drejtues të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike në Shtip, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare.

18 gushti është zgjedhur si Dita e Armatës, pasi më 18 gusht 1943, në malin Slavej, u formua batalioni “Mirçe Acev”, i cili konsiderohet formacioni i parë i organizuar ushtarak.

Procesi i formimit të Armatës moderne të Maqedonisë filloi në vitin 1992, kur presidenti i atëhershëm Kiro Gligorov, së bashku me udhëheqjen e JNA-së, nënshkroi marrëveshjen për tërheqjen e ushtrisë federale nga territori i Republikës së Maqedonisë.

Sot, Armata e Maqedonisë së Veriut është pjesë përbërëse e sistemit më të madh kolektiv të sigurisë, pasi Republika e Maqedonisë së Veriut në mars të vitit 2020 u bë anëtarja e 30-të me të drejta të plota e NATO-s.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull