Invalidi i luftës dhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, ka reaguar publikisht ndaj publikimeve të Rami Mislimit, duke i cilësuar pretendimet e tij si të pavërteta dhe tendencioze, që sipas tij cenojnë dinjitetin, integritetin dhe reputacionin personal.
Osmani kërkon nga autori i publikimit që të tërheqë pretendimet, të publikojë përgënjeshtrim dhe të kërkojë falje publike brenda 15 ditëve.
“Është e papranueshme që përmes publikimeve të tilla, pa verifikim të fakteve dhe pa asnjë bazë të vërtetuar, të ndërtohen narrativa që synojnë të njollosin emrin tim dhe të krijojnë perceptim të rremë në opinionin publik”, ka deklaruar Osmani.
Ai paralajmëron se, nëse kërkesat e tij nuk përmbushen, do të iniciojë procedurë gjyqësore për shpifje dhe cenim të reputacionit, duke kërkuar edhe kompensim për dëmin e shkaktuar.
“Liria e shprehjes është e drejtë demokratike, por ajo nuk është licencë për shpifje. Kritika është e mirëpritur, por përgjegjësia për atë që publikohet është e pashmangshme”, thuhet në reagimin e Osmanit.

