Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me thirrjen në biseda informative të personave, profilet e të cilëve në rrjetet sociale dje përhapën informacione se uji në Shkup nuk duhet të pihet për shkak të pranisë së pretenduar të bakterit *Escherichia coli*.
Nga MPB-ja sot në mëngjes informuan MIA-n se Sektori për kriminalitet kompjuterik po ndërmerr masa për identifikimin e profileve nga të cilat u përhapën postimet e diskutueshme, pas së cilës personat thirren në bisedë informative.
“Pas përfundimit të veprimeve hetimore do ta informojmë publikun si duhet”, njoftuan nga MPB-ja.
Informacionet për kontaminimin e pretenduar të ujit të Shkupit dje u përhapën masivisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët. Ato u demantuan nga kryetari i komunës së Shkupit, Orce Gjorgjievski, ND “Ujësjellës dhe Kanalizim” dhe Ministria e Shëndetësisë.
Gjorgjievski në konferencë për shtyp siguroi se uji në Shkup është i sigurt për pirje dhe se në të nuk ka prani të *Escherichia coli* as të baktereve të tjera të rrezikshme.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, i hodhi poshtë informacionet për kontaminimin e pretenduar të ujit të pijshëm, duke siguruar se uji i Shkupit është i sigurt.
“Nuk ekziston asgjë e tillë dhe me përgjegjësi pretendoj se kemi një nga pesë ujërat dhe burimet më të mira në Evropë. Qëndroj pas kësaj. Unë nuk jam përbindësh që do të lejoj që të rrezikohet qoftë edhe një jetë e bashkëqytetarëve të mi”, tha Gjorgjievski.
Ai theksoi se publiku, siç thotë ai, informohet me kohë dhe në mënyrë transparente për të gjitha zhvillimet, pavarësisht nëse bëhet fjalë për lajme të mira apo të këqija.
Sipas tij, informacionet për praninë e baktereve në ujë përfaqësojnë dezinformata keqdashëse me të cilat krijohet panik mes qytetarëve.
Gjorgjievski theksoi se më parë kishte marrë informacione se nga qendra të caktuara po përgatitej përhapja e panikut në Shkup, e lidhur me rrezikun e pretenduar të kontaminimit të ujit për shkak të një deponie që ndodhet rreth 30 kilometra larg burimit Rashçe.
Ai shtoi se deponia aktualisht po pastrohet nga ND “Ujësjellës dhe Kanalizim” dhe shërbime të tjera, por se bëhet fjalë për një deponi që ekziston rreth 30 vjet.
Sipas Gjorgjievskit, pasi dje përmes rrjeteve sociale i demantoi informacionet për rrezikun e pretenduar nga deponia, u shfaqën pretendime të reja për praninë e baktereve në ujë.

