Shkup, 7 gusht – Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë të Maqedonisë (SSHMG) paralajmëron se kufizimi i qasjes në informatat me karakter publik dhe mosdhënia e përgjigjeve ndaj pyetjeve të gazetarëve përbën një sfidë serioze për transparencën dhe lirinë e mediave. Sindikata i bën thirrje Qeverisë të vendosë komunikim të hapur dhe profesional me mediat, në mënyrë që gazetarët të mund ta kryejnë pa pengesa rolin e tyre në interes të publikut.
SSHMG shpreh shqetësimin se po krijohet një praktikë ku Qeveria refuzon në mënyrë sistematike t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe kufizon qasjen në informacionet me interes publik. Sipas Sindikatës, kjo praktikë u përsërit edhe në ngjarjen e djeshme, ku zëdhënësi i Qeverisë u përgjigj në mënyrë selektive vetëm ndaj disa pyetjeve të gazetarëve. Sindikata thekson se është detyrim i Qeverisë të komunikojë në mënyrë transparente me publikun. Heshtja, thuhet në reagim, nuk guxon të shndërrohet në politikë, ndërsa pyetjet e gazetarëve nuk duhet të mbeten pa përgjigje. Në këtë mënyrë, gazetarët nuk mund të verifikojnë informacionet që kërkojnë, ndërsa konferencat për shtyp nuk duhet të kthehen në monologë pa hapësirë për pyetje.
SSHMG rikujton se shërbimi për marrëdhënie me publikun i Qeverisë ka obligim të qartë t’i përgjigjet çdo pyetjeje të gazetarëve, pa të drejtë të vlerësojë nëse një pyetje “e meriton” ose jo një përgjigje. Vendimi se cilat pyetje janë relevante, thekson Sindikata, nuk u takon shërbimeve qeveritare të komunikimit, por gazetarëve, mediave dhe publikut. Sipas saj, kjo praktikë nuk duhet të vazhdojë.
Po ashtu, SSHMG kërkon nga përfaqësuesit qeveritarë përgjegjës për komunikimin me mediat që të komunikojnë me gazetarët me respekt dhe profesionalizëm. Në fund, Sindikata kërkon nga Qeveria që urgjentisht të vendosë komunikim të rregullt dhe të hapur me mediat, të sigurojë qasje në informacionet me karakter publik dhe të respektojë standardet e lirisë së mediave të garantuara me Kushtetutë.

