Kurti dhe Abdixhiku takohen sot – a po hapet rruga për marrëveshje politike?

2 Min. Leximi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen sot në orën 18:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Takimi zhvillohet vetëm tri ditë para seancës konstituive të Kuvendit dhe në një moment të rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja. Në qendër të bisedimeve pritet të jetë mundësia e bashkëpunimit politik dhe gjetja e një rrugëdaljeje nga ngërçi institucional.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar pjesëmarrjen e Abdixhikut, si dhe kohën dhe vendin e takimit.

Ftesat për takime u janë dërguar të hënën tri subjekteve politike nga Kurti, me synim diskutimin për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Takimi Kurti–Abdixhiku po shihet me interes të veçantë, pasi çdo afrim ndërmjet dy partive mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimet politike dhe në procesin e krijimit të institucioneve. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse bisedimet do të çojnë drejt një marrëveshjeje konkrete apo do të përfundojnë pa rezultat.

Kurti kishte zhvilluar takime të ndara me drejtuesit e PDK-së dhe LDK-së edhe më 10 korrik, por pa arritur ndonjë marrëveshje. Takimi i sotëm me Abdixhikun përbën një përpjekje të re për të afruar qëndrimet para seancës së Kuvendit.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull