BDI: Bekim Qoku, lideri de facto i VLEN-it, po mohon Marrëveshjen e Ohrit

2 Min. Leximi

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, lidhur me Marrëveshjen e Ohrit, duke e akuzuar atë se po mohon një nga arritjet më të rëndësishme politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, raporton Zyrtare.

Në reagimin e saj, BDI thotë se deklarata e Qokut, sipas së cilës Marrëveshja e Ohrit “nuk është fitore për t’u krenuar”, përbën fyerje ndaj sakrificës së shqiptarëve dhe mohim të arritjes që, sipas partisë, ndryshoi pozitën kushtetuese, institucionale dhe politike të shqiptarëve në vend.

Sipas BDI-së, nga Marrëveshja e Ohrit burojnë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, përdorimi i gjuhës shqipe, decentralizimi, parimi i Badenterit dhe fuqizimi i shqiptarëve si faktor vendimmarrës.

“Të mohosh Marrëveshjen do të thotë të mohosh themelet e të gjitha këtyre të drejtave”, thuhet në reagim.

BDI më tej pretendon se, me këtë qëndrim, Bekim Qoku është rreshtuar në të njëjtën vijë me VMRO-DPMNE-në dhe qarqet që, sipas saj, pretendojnë se Marrëveshjes së Ohrit “i ka skaduar afati”. Partia opozitare shton se vetë Qoku ka pranuar se VMRO-DPMNE është “tmerrësisht e fuqishme”, gjë që, sipas BDI-së, dëshmon se VLEN e ka pranuar publikisht pozitën e vet të nënshtruar.

Në fund të reagimit, BDI thekson se shqiptarët kanë arsye të krenohen me Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa akuzon VLEN-in se, për të ruajtur pushtetin, ka nisur të përdorë, sipas saj, gjuhën e atyre që prej vitesh kërkojnë çmontimin e saj./ZYRTARE.net/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull