Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar përmbylljen me sukses të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, duke theksuar se ngjarja e ka shndërruar Çarshinë e Vjetër në një qendër të artit, muzikës dhe kulturës.
“Mbrëmë, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës ‘Çarshia’ uli perden e edicionit të tij të parë, pas katër mbrëmjeve që e shndërruan Çarshinë e Vjetër në një hapësirë ku muzika, arti dhe kultura u takuan përtej çdo kufiri.
Artistë nga vende të ndryshme, interpretime që përfshinë muzikën klasike, operën, serenatat dhe traditat muzikore të popujve të ndryshëm, performanca të veçanta dhe një publik që e mbushi Çarshinë çdo mbrëmje, i dhanë këtij festivali një atmosferë të veçantë dhe një identitet që premton të vazhdojë.
Çdo mbrëmje solli një përjetim të veçantë artistik, ndërsa i gjithë festivali u kurorëzua me një finale dinjitoze, duke përmbyllur me sukses edicionin e parë.
Më gëzon fakti që, pas Panairit të Librit, edhe një tjetër ngjarje e rëndësishme kulturore u realizua me sukses. Ky është një hap më shumë drejt vizionit që Shkupi të afirmohet si një qytet që jo vetëm ruan trashëgiminë e tij, por edhe krijon, kultivon dhe jeton kulturën çdo ditë”, ka shkruar Mexhiti.

