Bie aktakuza për rastin “Total”, Latas i shpëton ndjekjes penale

2 Min. Leximi

Rasti gjyqësor “Total”, në të cilin ishte i akuzuar gazetari Dragan Pavloviq-Latas për evazion fiskal, ka përfunduar me refuzimin e aktakuzës, pasi prokurori publik hoqi dorë plotësisht nga ndjekja penale, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Gjykatës Penale, bëhet fjalë për lëndën e hapur fillimisht nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP), e më pas të marrë përsipër nga Prokuroria Themelore Publike Shkup. Vendimi është marrë më 27 maj 2026, ndërsa aktgjykimi është bërë i formës së prerë më 25 qershor 2026.

Në këtë procedurë, e cila zhvillohej që nga tetori i vitit 2017, të akuzuar ishin Dragan Pavloviq-Latas si person fizik dhe tre persona juridikë nga Shkupi për veprën penale evazion fiskal. Gjykata thekson se procesi ishte rifilluar disa herë për shkak të ndryshimeve të kompetencës së prokurorëve dhe transferimit të lëndës ndërmjet prokurorive, transmeton Fokus.
Në fjalën përfundimtare, prokurori publik hoqi dorë nga aktakuza, pasi pas ekspertizës financiare kishte konstatuar se për dy nga kompanitë e akuzuara nuk ishin përmbushur elementet e veprës penale, ndërsa për një kompani dhe për Pavloviq-Latas kishte ndodhur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Për këtë arsye, gjykata, në përputhje me ligjin, refuzoi aktakuzën. Nga Gjykata Penale bëjnë të ditur se aktgjykimi është i formës së prerë dhe, pas anonimizimit, do të publikohet në faqen zyrtare të gjykatës.
Rasti “Total” kishte të bënte me dyshimet se Dragan Pavloviq-Latas kishte shmangur pagesën e tatimit në periudhën 2008–2015 përmes kompanive “Total Marketing” dhe “Total Media Center”. Lënda ishte hapur nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP).

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull