Anglia ka siguruar një fitore dramatike 3-2 ndaj Meksikës në stadiumin “Azteca”, duke kaluar në çerekfinale të Kupës së Botës, ku do të përballet me Norvegjinë.
Ndeshja e 1/8 së finales u shty për një orë për shkak të stuhive, ndërsa skuadra e Thomas Tuchel e nisi më mirë dhe krijoi epërsi me dy gola të shpejtë të Jude Bellingham, në minutat 36-të dhe 38-të, para pushimit. Meksika reagoi duke ngushtuar shifrat në 2-1 me Julian Quinones, në minutën 42-të.
Në pjesën e dytë, Anglia mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Jarell Quansah, por arriti të rikthejë epërsinë me penalltinë e Harry Kane për 3-1, në minutën e 60-të. Meksika nuk u dorëzua dhe shënoi sërish nga pika e bardhë me Raul Jimenez, duke e çuar rezultatin në 3-2, në minutën e 69-të.
Në minutat e fundit, nën presion të madh dhe në një atmosferë të zjarrtë, Anglia u mbrojt me kujdes dhe ruajti avantazhin deri në fund për një fitore të rëndësishme.

