Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar popullin dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë.
Përmes një mesazhi publik, Gashi shprehu urimet e tij më të përzemërta, duke i dëshiruar popullit amerikan paqe, përparim dhe mirëqenie.
“Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shpreh urimet e mia më të përzemërta popullit amerikan dhe institucioneve të tij, duke u dëshiruar paqe, përparim dhe mirëqenie”, ka shkruar Gashi.
Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut e vlerëson lart miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes amerikane për zhvillimin demokratik të vendit, integrimin euroatlantik dhe stabilitetin rajonal.
“Jam i bindur se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të forcohet edhe më tej, në shërbim të paqes, sigurisë, prosperitetit dhe vlerave tona të përbashkëta”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Më tutje në mesazhin e tij Gashi uroi edhe një herë popullin amerikan me fjalët: “Urime Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”.

