Sipas të dhënave të Bankës Popullore, 72.8 për qind e të gjitha pagesave elektronike gjatë periudhës së analizuar janë kryer përmes aplikacioneve mobile, ndërsa numri i tyre është rritur me 25.9 për qind në baza vjetore. Kjo do të thotë se pothuajse tri nga katër pagesa elektronike realizohen tashmë nga telefoni, duke e bërë atë mjetin kryesor për kryerjen e transaksioneve
Anëmsha SHABANI
Shkup, 1 korrik – Telefoni celular po shndërrohet gjithnjë e më shumë në portofolin e qytetarëve. Pagesat përmes aplikacioneve mobile dhe platformave digjitale po fitojnë terren në vend, ndërsa përdorimi i metodave tradicionale të pagesës po zëvendësohet gradualisht nga zgjidhjet elektronike. Të dhënat më të fundit të Bankës Popullore tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 pagesat elektronike kanë vijuar rritjen me ritëm dyshifror, duke reflektuar jo vetëm përparimin e digjitalizimit në sektorin bankar, por edhe ndryshimin e zakoneve të qytetarëve.
Sipas Bankës Popullore, gjatë tre muajve të parë të vitit, pagesat me urdhërpagesa të qytetarëve u rritën me 10.3 për qind në numrin e transaksioneve dhe me 14.6 për qind në vlerën e tyre krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe më e theksuar ishte rritja e pagesave të iniciuara në mënyrë elektronike, të cilat shënuan rritje prej 21.9 për qind në numrin e transaksioneve dhe 23 për qind në vlerën e tyre.
Rritja më e madhe vërehet te përdorimi i telefonit celular. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, 72.8 për qind e të gjitha pagesave elektronike gjatë periudhës së analizuar janë kryer përmes aplikacioneve mobile, ndërsa numri i tyre është rritur me 25.9 për qind në baza vjetore. Kjo do të thotë se pothuajse tri nga katër pagesa elektronike realizohen tashmë nga telefoni, duke e bërë atë mjetin kryesor për kryerjen e transaksioneve. “Numri më i madh i transaksioneve të pagesave të iniciuara elektronikisht në periudhën e analizuar u kryen nëpërmjet aplikacioneve mobile (72.8 për qind), me një rritje vjetore prej 25.9 për qind, gjë që konfirmon se përdorimi i telefonit celular mbizotëron si metoda më e shpejtë dhe më e thjeshtë e pagesës”, theksoi Banka Popullore.
Tendenca shtrihet edhe te pagesat me karta. Gjatë tremujorit të parë, numri i pagesave me karta u rrit me 12.2 për qind, ndërsa vlera e tyre me 14.5 për qind. Rritja është nxitur kryesisht nga zgjerimi i pagesave në internet, të cilat u rritën me 18.7 për qind, si dhe nga pagesat në pikat fizike të shitjes, që shënuan rritje prej 11.7 për qind.
Këto zhvillime lidhen edhe me zgjerimin e zgjidhjeve të reja të pagesave që bankat kanë ofruar në vitet e fundit. Përveç aplikacioneve të tyre mobile, gjithnjë e më shumë qytetarë kanë mundësi të përdorin edhe kuleta digjitale si “Apple Pay” dhe “Google Wallet”, të cilat mundësojnë pagesa pa kontakt vetëm duke afruar telefonin ose orën inteligjente pranë terminaleve POS, pa pasur nevojë për kartën fizike. Kjo ka ndikuar që pagesat përmes pajisjeve mobile të bëhen gjithnjë e më të zakonshme në blerjet e përditshme.
Ndërkaq, se telefoni po zëvendëson gradualisht edhe kartën fizike e dëshmon edhe numri i kartave të digjitalizuara. Sipas Bankës Popullore, ato përbëjnë 17.9 për qind të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesës të lëshuara në vend. Mesatarisht, çdo kartë e digjitalizuar është përdorur për katër pagesa me telefon celular gjatë tremujorit të parë të vitit, tregues që flet për një përdorim gjithnjë e më të madh të pagesave mobile.
Ndryshe, edhe të dhënat e publikuara nga Banka Popullore në fillim të këtij viti treguan vazhdimin e të njëjtit trend, me rritje të pagesave me karta si në terminalet POS, ashtu edhe në blerjet online. Kjo tregon se qytetarët po largohen gradualisht nga përdorimi i parasë së gatshme në favor të mënyrave më të shpejta, më të sigurta dhe më praktike të pagesës. Me këtë, nënkuptojmë se zgjerimi i aplikacioneve bankare, kuletave digjitale dhe kartave të digjitalizuara po ndryshon mënyrën se si qytetarët kryejnë pagesat, ndërsa telefoni celular po merr gjithnjë e më shumë funksionin e portofolit tradicional. (koha.mk)

