Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka kujtuar 20-vjetorin e nisjes së projektit të shkollës “Kongresi i Manastirit”, në kohën kur ai drejtonte Komunën e Çairit. Mexhiti ka rikujtuar hapat e parë drejt ndërtimit të kësaj shkolle, duke e cilësuar atë si pjesë të vizionit për zhvillimin e Çairit dhe afirmimin e identitetit kombëtar.
“20 vjet histori, arsim dhe krenari!

Në vitin 2006, si kryetar i Komunës së Çairit, nisa projektin e shkollës “Kongresi i Manastirit”. Nga kushtet e përkohshme dhe barakat, hodhëm hapat drejt krijimit të një shkolle të madhe, moderne, që do t’u ofronte nxënësve shqiptarë kushte të denja për arsimim.
Sot, pas dy dekadash, të jem pjesë e festës së kësaj shkolle, të cilën e nisëm atëherë, është kënaqësi dhe emocion i veçantë.
Në fakt, viti 2006 shënoi një periudhë me rëndësi të veçantë për Çairin. Krahas nisjes së projektit të kësaj shkolle, ishte edhe viti i vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Shkup. Në vitet që pasuan, vazhduam me emërtimin e shkollave dhe rrugëve me emra të personaliteteve tona historike. Këto nuk ishin nisma të shkëputura nga njëra-tjetra, por pjesë e një vizioni më të gjerë, që të ndërtonim një Çair modern, që zhvillohet, por që njëkohësisht ruan dhe afirmon identitetin, historinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Në këtë vizion, shkolla “Kongresi i Manastirit” kishte një domethënie të veçantë. Synimi nuk ishte vetëm t’u krijonim fëmijëve tanë kushte më të mira për arsimim, por edhe t’i rrisnim me dije dhe me vetëdijen se kush janë, nga vijnë dhe çfarë trashëgimie mbartin. Vetë emri i shkollës përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Sot, pas dy dekadash, kjo shkollë është dëshmia më e mirë se si një nismë mund të shndërrohet në një histori suksesi, që vazhdon të shkruhet nga brezi në brez. Ajo që nisëm si projekt, sot është një institucion me identitet, me histori dhe me mijëra nxënës që kanë kaluar nëpër bankat e tij.
Të shohësh se një nismë e nisur para dy dekadash vazhdon të jetojë, të rritet dhe të japë fryte, është një arsye e bukur për të qenë krenarë!
Urime shkollës “Kongresi i Manastirit”! Uroj që kjo histori të vazhdojë me edhe më shumë suksese dhe gjenerata të reja!”, ka deklaraur Izet Mexhiti.


