11 shqiptarë marrin vendime të përhershme pune në HRMV Transport

2 Min. Leximi

Në konkursin e fundit për punësim në HRMV Transport, 11 punëtorë shqiptarë kanë marrë vendime të përhershme pune, duke shënuar një tjetër hap drejt përfaqësimit më të drejtë në institucion.

Drejtori i Marketingut në HRMV Transport dhe përfaqësues i VLEN-it theksoi se ky është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm për zbatimin e zotimeve të dhëna para qytetarëve.

“Sot po i kthejmë në vendime konkrete ato që për vite me radhë mbetën vetëm në kontrata të harruara. Me kënaqësi të veçantë ua dorëzuam vendimet e përhershme të punës 11 punëtorëve shqiptarë, ndërsa që nga ardhja ime në HRMV Transport janë punësuar gjithsej 16 shqiptarë me vendime të përhershme pune. Ky është rezultat i punës, jo i premtimeve”, u shpreh ai.

Sipas tij, VLEN po dëshmon se përfaqësimi i drejtë realizohet përmes veprave konkrete dhe se ky proces do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synimin që institucionet të jenë të hapura për të gjithë dhe të krijohen mundësi reale punësimi për të rinjtë dhe profesionistët.

Ai vlerësoi se punësimet e realizuara deri më tani janë dëshmi e përmbushjes së zotimeve të dhëna para qytetarëve, duke u ofruar mundësi atyre që për vite kanë pritur një shans të drejtë për punësim.

Në fund, ai uroi të gjithë kandidatët e përzgjedhur, duke shprehur bindjen se me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre do të japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e HRMV Transport dhe të sektorit hekurudhor në vend.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull