Tetovës i shtohet një magjistër i shkencave islame

2 Min. Leximi

Hoxhë Ali Ashani nga Tetova mbron me sukses magjistraturën në Fikh në Universitetin ez-Zejtuna të Tunisit

Sot, më 25 qershor 2026, hoxhë Ali Ashani nga Tetova e mbrojti me sukses disertacionin e magjistraturës në fushën e Fikhut në Universitetin ez-Zejtuna të Tunisit, duke u vlerësuar me notën maksimale.

Universiteti ez-Zejtuna njihet si një nga institucionet më të vjetra dhe më prestigjioze të dijes islame në botë. Për shekuj me radhë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e mendimit dhe ndërgjegjes islame, veçanërisht në Maghribin islam dhe më gjerë. Në auditorët e tij kanë studiuar dhe ligjëruar figura të shquara si Ibn Arafe, Ibn Halduni, Ibn Ashuri dhe shumë dijetarë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë intelektuale islame.
Tema e disertacionit të hoxhë Ali Ashanit ishte: “Fetvatë dhe inteligjenca artificiale – Problematika juridike dhe kriteret e përdorimit”, një trajtesë bashkëkohore që shqyrton sfidat juridike islame që sjell zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale.
Pas mbrojtjes, ai u shpreh se rrugëtimi i tij akademik kishte nisur “midis shtyllave të Haremit të Medines” dhe tashmë vazhdon “nën hijen e ullirit të Tunisit”, duke shprehur shpresën që Allahu t’i mundësojë vijimin e studimeve edhe në nivel doktorature.

Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për hoxhë Ali Ashanin dhe familjen e tij, por edhe për Tetovën dhe komunitetin shqiptar në përgjithësi, të cilit i shtohet edhe një magjistër i shkencave islame me përgatitje të lartë akademike.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull