Komuna e Gostivarit reagon pas protestës së banorëve të Debreshit: Po punohet për zgjidhjen e problemit me ujin

2 Min. Leximi

Pas protestës së banorëve të fshatit Debresh për mungesën e ujit të pijshëm, Komuna e Gostivarit ka reaguar përmes një komunikate, duke shprehur keqardhje për vështirësitë me të cilat përballen banorët dhe duke theksuar se problemi i furnizimit me ujë në këtë zonë vazhdon prej dekadash, percjell ZYRTARE.net

Nga komuna bëjnë të ditur se gjatë këtij viti janë zhvilluar tre takime mes banorëve, përfaqësuesve të shoqatave lokale, kryetarit të komunës dhe ekspertëve të Ndërmarrjes Komunale, ku janë shqyrtuar dhe dakorduar masa konkrete për tejkalimin e problemit.

Sipas komunës, tashmë kanë nisur punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, investim që pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetin e furnizimit me ujë të pijshëm. Punimet pritet të përfundojnë brenda një muaji, ndërsa pas realizimit të projektit pritet përmirësim i dukshëm i furnizimit për banorët e Debreshit.

Po ashtu, është marrë vendim edhe për sanimin dhe përmirësimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, ndërhyrje që sipas autoriteteve lokale do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve dhe në stabilizimin e furnizimit me ujë.

Komuna e Gostivarit thekson se ka treguar vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar dhe u bën thirrje banorëve për mirëkuptim dhe durim deri në përfundimin e punimeve.

“Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet përkatëse, të sigurojë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për furnizimin me ujë të të gjithë banorëve”, thuhet në reagim./ZYRTARE.net/

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull