Aktorja turke Ece Irtem është përcjellë për në banesën e fundit pasi humbi jetën papritur në moshën 35-vjeçare. Sipas mediave turke, Irtem vdiq në banesën e saj në Kadıköy të Stambollit.
Dyshimet e para flasin për një sulm në zemër, megjithëse shkaku i saktë i vdekjes pritet të konfirmohet pas raportit të autopsisë, ka shkruar GazeteVatan.
Pas përfundimit të procedurave në Institutin e Mjekësisë Ligjore, trupi i aktores iu dorëzua familjes.
Miq dhe kolegë të saj nga bota e televizionit u mblodhën pranë institucionit për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Aktorja Bahar Süer ka thënë se ende nuk po arrijnë ta besojnë humbjen e saj.
“Jemi ende në shok. Nuk po e kuptojmë se për kë jemi këtu. Ece ishte një njeri i mrekullueshëm”, u shpreh ajo.
Edhe aktorët Bahtiyar Memili, Jassica May dhe këngëtarja e aktorja Feride Hilal Akın e kujtuan İrtemin si një person të dashur, të sjellshëm dhe frymëzues për të gjithë ata që e njihnin.
Ceremonia mortore do të mbahet në Kuşadası të Aydınit, ku aktorja do të varroset.
Një detaj prekës që ka tërhequr vëmendje është se vetëm një ditë para vdekjes, Irtem kishte festuar ditëlindjen dhe kishte falënderuar ndjekësit në rrjetet sociale për urimet.
Deri tani nuk ka informacione zyrtare që aktorja të ketë vuajtur nga ndonjë sëmundje e rëndë. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vazhdojnë dhe se përgjigjja përfundimtare mbi shkakun e vdekjes do të jepet pas publikimit të autopsisë.
Ece Irtem lindi në vitin 1991 në Sivas dhe u diplomua në Operë dhe Kanto në Universitetin Yaşar.
Ajo u bë e njohur për rolet e saj në seriale të suksesshme turke si “Kızılcık Şerbeti”, “Sandık Kokusu”, “Aile”, “Yasak Elma”, “Mahkum”, “Bay Yanlış” dhe “Yeni Gelin”.

