Hipokrizia në këtë shtet ka emër dhe mbiemër. Ajo quhet BDI.
Ata që bërtasin më së shumti për shqiptari janë pikërisht ata që, kur e kishin gjithë pushtetin në dorë, i lanë shqiptarët si mos më keq, ndërsa veten e rehatuan me poste, tenderë dhe xhepa plot.
Prandaj, para se të na shesin patriotizëm të rrejshëm, është mirë t’ua hapim arkivin.
E kur hapet arkivi i tyre, dalin gjëra që opinioni duhet t’i dijë.
Pikërisht kjo parti, që sot nga opozita e ka gojën plot shqiptari, në kulmin e pushtetit të saj, më 4 maj të vitit 2010, në Kumanovë bëri që gjuha serbe të futet në përdorim zyrtar në këtë komunë, edhe pse serbët përbëjnë rreth 6.5 për qind të popullsisë.
E zeza mbi të bardhë. Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së.
Pra, kur duhej të zyrtarizohej serbishtja në Kumanovë, kishin zell, votë e vullnet. Por kur duhej të zgjidheshin hallet e shqiptarëve, gjithmonë kishte zvarritje.
Pas këtij dokumenti, natyrshëm lindin disa pyetje.
Pse gjithë ai kujdes për serbishten në Kumanovë, ndërsa për hallet e shqiptarëve gjithmonë kishte pengesa e vonesa?
Pse nuk e patën të njëjtin vullnet për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat?
Për më shumë se 20 vite rresht, shumë çështje të shqiptarëve i lanë përgjysmë, me logjikën shkel e shko.
VLEN nuk është kundër zyrtarizimit të asnjë gjuhe, por është kundër hipokrizisë politike.
BDI flet për shqiptarët kur është në opozitë. VLEN punon për shqiptarët kur është në përgjegjësi.
Ky është dallimi që asnjë propagandë e tyre nuk mund ta mbulojë.
Faleminderit.
Komunikatë e VLEN-it.

