Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur gënjeshtër çdo pretendim të presidentit të Serbisë, se Kosova kryen spastrim ndaj serbëve të Kosovës. Në fjalimin e tij, ai ka kërkuar sërish nga Serbia, që në fund të mbledhjes të nënshkruajnë Marrëveshjen e Brukselit. Gjithçka që u tha në këtë seancë:
Kurti: Nuk duam të hakmerremi
23:25 – Kryeministri Albin Kurti në fjalën e fundit të tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka thënë se do të komunikojë dhe t’i informojë serbët e Kosovës gjatë ditëve në vijim lidhur me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione në para të gatshme. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë duke folur në gjuhën serbe që ata të kuptojnë më mirë dhe më qartë.
Kurti ka deklaruar se Kosova nuk do hakmerret ndaj serbëve. “Ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësi është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër iu garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, ka thënë ai.
Kurti gjatë fjalimit në fund të kësaj seance ka thënë se është kritikuar për veprime të njëanshme ndonëse është kryeministër i një republike dhe i mbron interesat e saj.
“Do të bëj më shumë komunikim, më shumë informim për serbët në ditët vijuese përgjatë gjithë muajit. Do të flas në serbisht ashtu që të më kuptojnë ndoshta më mirë e më qartë. Sepse ne që kemi qenë nën okupimin e Serbisë e dimë gjuhën serbe, por ata nuk e kanë mësuar gjuhën tonë. Do të flas në serbisht, nuk kam asgjë kundër serbëve, kam miq serbë, kam ministër në Qeveri, partia ime me votë të fshehtë e ka votuar zëvendësavokatin e popullit serb. Një prej katër anëtarëve të bordit në Trepçë që është ndërmarrja më e madhe minerale, Dragisha Kërstoviq nga Leposaviqi, është serbe. Jam kritikuar për veprime të njëanshme, por unë jam kryeministër për shkak se Kosova është Republikë, po të mos ishte vendi im Republikë, unë nuk mund të bëhesha kryeministër, pra i mbroj interesat e një republike demokratike”, ka thënë ai.
Kurti më tej ka thënë se po kërkon veprime të dyanshme, duke e ripërsëritur thirrjen e tij për Serbinë që të nënshkruajnë marrëveshje për të cilën janë dakorduar në Bruksel e më pas edhe për Aneksin e saj në Ohër, në mënyrë që të mos ketë shkelje të saj.
“Për veprime të dyanshme, në të kundërtën e njëanshme, të nënshkruajmë marrëveshjen, të cilën e kemi dakorduar si tekst. Kemi marrëveshje, por që të mos kemi shkelje të marrëveshjes, për ta respektuar dhe zbatuar atë plotësisht unë po them që të marrim një veprim bilateral që do të ishte nënshkrimi i marrëveshjes, ashtu që të përmbahemi dhe t’i përkushtohemi me nënshkrime tekstit dhe frymës së marrëveshjes”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për dinarin, Kurti ka thënë se kjo valutë nuk është e ndakuar në Kosovëm por euroja është i vetmi mjet pagese.
“Kemi dhënë aq shumë subvencione, ndihmë sociale, grante për arsim e shëndetësi për komunat me shumicë serbe, të gjithë i pranojmë dhe pa kurrfarë problemi. Nuk kemi asnjë rast që një qytetar serb i Kosovës ka thënë se nuk i pranojmë këto sepse janë në euro. Në vendin fqinj, në Mal të Zi, diku një çerek i popullsisë deklarohen si serbë, por që e kanë euron si valutë, serbët e rëndomtë nuk e urrejnë euron, është valutë pagese, mund të mbash para në çfarëdo lloj valute që dëshiron”, ka theksuar ai.
Vuçiqi për Banjskën: Serbët mbrojtën pragjet
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalën përmbyllëse në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e ka quajtur sulmin në Banjskë “mbrojtje të pragjeve” nga serbët që kanë lindur e jetuar në Kosovë.
Ai ka shtuar se Serbia do të zhvillojë hetime ndaj rastit.
Vuçiqi ka deklaruar për rastin e Banjskës se ai ka ardhur pas garancive që kanë ofruar ndërkombëtarët për heqjen e barrikadave. Sipas tij, edhe kur kishin marrë garanci nga Bashkimi Evropian e SHBA-ja, serbët e Kosovës nuk u kanë besuar.
“Muaj më vonë, autoritetet në Prishtinë filluan gjuetinë ndaj serbëve që kishin ngritur barrikada dhe kjo është ndër arsye përse këta njerëz që kanë lindur dhe jetuar aty tërë jetën kanë dashur të mbrojnë pragjet e tyre, familjet e tyre. A e kanë bërë në mënyrë të duhur? Nuk e besoj por duhet t’i dini arsyet e vërteta. Edhe pas kësaj, ne nisëm hetimet dhe do të shohim edhe aktakuzat, por duhet të kuptohet që sipas Kartës së OKB-së, i vetmi integritet territorial që është shkelur është ai i Serbisë dhe asnjë shteti tjetër. S’ka asnjë që mund të vuajë nga shkelja e integritetit territorial”, ka thënë Vuçiqi që ka shprehur “krenari që sheh flamurin e Serbisë në OKB”.
Ai ka shtuar se Serbia është e pavarur, sovrane dhe liridashëse dhe se “nuk është marionetë e askujt, as SHBA-së, as Rusisë, e as askujt tjetër në botë”.
Në OKB, Vuçiqi ka thënë se “Serbia do të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ruajtur paqen, stabiliteti dhe qetësinë në rajon siç ka bërë gjithmonë”.
Sipas tij, janë britanikë ata që sjellin paratë e Serbisë në Kosovë. Sa i përket dhunës ndaj opozitarit Nikola Sandulloviq, Vuçiqi ka thënë se “askush në Serbi s’ka dëgjuar për të në jetën politike”.
Japonia: Masat nuk duhet të bëhen me nxitje, por me komunikim transparent
23:05 – Përfaqësuesi i Japonisë në OKB ka thënë se çdo veprim që mund të çojë në eskalim, duhet të shmanget.
Ai ka vlerësuar se Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosvës për operacione në para të gatshme ndikon në jetën e përditshme të shumë serbëve në Kosovë që e përdorin monedhën e Serbisë.
Sipas tij, masat që merren nuk duhet të bëhen me nxitje, por të arrihen me komunikim transparent.
“Jemi të brengosur me situatën ekzistuese në Kosovë, çdo veprim që mund të çojë në eskalim të mëtejmë duhet të shmanget për hir të popullit në rajon. Rregullorja e re e BQK-së për operacione në para të gatshme, kjo masë është zbatuar për sa i përket luftimit të parave të falsifikuar dhe të pastrimit të parave për të kontrolluar qarkullimin e parave të gatshme në Kosovë. Jemi të brengosur me ndikimin e rregullores ndaj jetës së përditshme të shumë serbëve të Kosovës që e përdorin monedhën e Serbisë dhe prandaj mund të jenë në pozicion të pafavorshëm. E kuptojmë që Kosova si vend ka nevojë për këto vendime, megjithatë masat që e prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve nuk duhet të bëhen me nxitje por të arrihen me komunikim transparent. Edhe ne i përsërisim mesazhet që kanë dalë nga ambasadat e QUIN-it që të vazhdohet me kujdes për të zvogëluar tensionet duke iu adresuar ndikimit të rregullores”, ka thënë ai.
Sierra Leone dhe Ekuadori kanë ftuar Kosovën dhe Serbinë që si zgjidhje të vetme ta shohin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Këto vende ftuan palët që të qëndrojnë larg gjuhës që nxit dhunë dhe përshkallëzim të situatës, duke kërkuar që të zbatohen marrëveshjet e dakorduara.
Zvicra: Të marrin përgjegjësi sulmuesit në Banjskë
22:55 – Përfaqësuesi i Zvicrës në OKB ka ftuar Serbinë t’i vërë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit në Banjskë, e Kosovës i ka kërkuar që t’i shmangë veprimet e njëanshme.
Ai ka thënë se së fundmi është rrezikuar bashkëjetesa mes komuniteteve në Kosovës, duke i ftuar palët që të zgjedhin dialogun si proces të zgjidhjes.
“Ftojmë që Serbia t’i ftojë në përgjegjësi ata që kryen sulm në Banjskë…Kosova e Serbia të përmbahen nga veprimet që rrezikojnë situatën”, ka thënë ai.
Franca: I dënojmë sulmet në Banjskë, Serbia t’i vë fajtorët para drejtësisë
22:50 – Përfaqësuesi i Francës në OKB ka thënë se e dënon sulmin serb në Banjskë të Zveçanit, duke i kërkuar Serbisë t’i vë fajtorët para drejtësisë. Ky shtet e ka kritikuar Kosovën për çështjen e ndalimit të dinarit serb, duke ftuar BQK-në që vendimi të pezullohet menjëherë.
“Ky do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve. Franca thekson thirrjen për pezullimin e vendimit menjëherë që të mundësohet një periudhë e tranzicionit…I dënojmë sulmet në Banjskë, kërkojmë që Serbia t’i vë fajtorët para drejtësisë”, ka thënë përfaqësuesi francez.
Sllovenia: Shqetësues sulmi ndaj KFOR-it në veri
22:44 – Përfaqësuesja e Sllovenisë ka shprehur shqetësimin për sulmin ndaj trupave të KFOR-it nga protestuesit serbë në veri, duke thënë se Kosova e Serbia duhet të përmbahen nga veprimet që nxisin dhunë.
Ajo ka thënë të enjten në OKB se palët duhet të punojnë bashkë.
“Ftoj palët të mos ndërmarrin veprime që do të ndikojnë në rrezikimin e raporteve. Disa brenga të avancimit të ngadaltë me raportin e sulmit në Banjskë dhe dhuna ndaj stafit të KFOR-it është e papranueshme. Serbia e Kosova mund të punojnë bashkë”, ka thënë Sllovenia.
Ky shtet e ka përshëndetur marrëveshjen për çështjen e targave.
Britania e Madhe: Të bëhet plan që serbët t’i marrin ndihmat deri të gjendet zgjidhja
22:40 – Mbretëria e Bashkuar ka thënë se tensionet aktuale ritheksojnë rëndësinë për përkushtim edhe më të madh për dialogun.
“Së pari Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e tyre dhe të shmangin veprimet e njëanshme. Së dyti, Kosova duhet të ushtrojë pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumëetnike që është ngulitur mu në zemër të Kushtetutës së Kosovës. Sa i përket veprimet e fundit. BQK-ja ka kërkuar që të zbatojë përgjegjësitë e veta për rregullimin e valutave të huaja, por që implementimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës ka treguar vëmendje të paktë për sa i përket ndikimit në komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës duhet të ndërtojnë një plan të qartë që të gjithë serbët e Kosovës të vazhdojnë të marrin të ardhura dhe që shërbimet themelore të vazhdojnë të funksionojnë derisa të gjendet një zgjidhje e gjithanshme”, ka thënë përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.
Ai ka përsëritur thirrjen që Serbia t’i vë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë.
SHBA-ja kritikon Kosovën për rregulloren e BQK-së
22:33 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Kosovën për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si të vetmen valutë në vend. Sipas përfaqësueses së SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, Kosova ka vepruar pa koordinim dhe pa konsultim me serbët lokalë.
Ajo po ashtu ka thënë se dialogu mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe jo nga Këshilli i Sigurimit.
“Shtete e Bashkuara mbesin të përshkuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së. Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë përfaqësuesja e SHBA-së.
Ajo ka thënë se SHBA-ja është e brengosur edhe për “veprimet e Qeverisë së Kosovës ndaj zyrave të institucioneve të mbështetura nga Serbia”.
“Këto veprime nuk janë konsistente me zotimin e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të rregulluar çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë, si dhe dëmtojnë rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe një herë Këshilli i Sigurimit nuk është vendi ku duhet të zgjidhen këto çështje”, ka thënë ajo.
Përfaqësuesja e SHBA-së po ashtu ka përsëritur që ky shtet dënon sulmet paramilitare ndaj Policisë së Kosovës dhe ka kërkuar nga Serbia që të vërë para përgjegjësisë ata që planifikuan dhe kryen sulmin terrorist.
“Lideri i vetëquajtur i sulmit mbetet ende i lirë në Serbi. Edhe njëherë i bëjmë thirrje Serbisë që të kërkojë llogari të plotë nga vepruesit, organizatorët dhe sulmuesit e këtij sulmi”, ka thënë ajo.
Malta: Kosova e Serbia të fokusohen në uljen e tensioneve
22:25 – Përfaqësuesi i Maltës në OKB i ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë t’i respektojnë marrëveshjet e dakorduara, duke shtuar se palët duhet t’i zgjidhin mospajtimet me dialog. Sipas këtij shteti, zotimet duhet të implementohen, e Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të jetë “qenësor në procesin e normalizimit”.
“Theksojmë rëndësinë që të dyja palët të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë edhe marrëveshjen për rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve që është dakorduar në Ohër vitin e kaluar. Apelojmë që të implementohen zotimet, implementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë qenësor në procesin e normalizimit dhe shpresojmë që të bëhet punë më e përshpejtuar gjatë muajve në vijim. Kjo është e vetmja rrugë që çon në anëtarësim në BE”, u tha nga përfaqësuesi.
Rusia në OKB: Kërkesa e BE-së për t’u njohur Kosova është e padrejtë
22:10 – Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, ka thënë se kërkesa e Bashkimit Evropian që të njihet shtetësia e Kosovës është e padrejtë.
Ai ka shtuar të enjten se vetëm në 2023-n, Kosova i ka kryer 178 sulme etnike ndaj serbëve në Kosovë.
“Vetëm në vitin 2023, 178 sulme etnike janë kryer ndaj serbëve e pronave të tyre… Një fushatë për të uzurpuar trashëgimi kulturore, kishat po merren e vendet e vjetra ortodokse po emërohen si katolike…Ka krime ndaj njerëzimit e arrestime arbitrare, kërcënime e dhunë”, ka deklaruar ai.
Kurti: Ideja që Kosova kryen spastrim etnik – thjesht gënjeshtër
Image
21:45 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar çdo pretendim të presidentit të Serbisë, se Kosova kryen spastrim ndaj serbëve të Kosovës. Të gjitha i ka quajtur gënjeshtra. Në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kurti ka thënë se është Serbia ajo që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të shkuar e se vazhdon të veprojë ende edhe tash njësoj. Në fund të fjalimit, ai ka kërkuar sërish nga Serbia, që në fund të mbledhjes të nënshkruajnë Marrëveshjen e Brukselit.
“Me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 ulëse të garantuara në parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë të serbëve veçanërisht. Serbët në Kosovë kanë po ashtu 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare. Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare”, ka thënë Kurti teksa ka kthyer vëmendjen kah trajtimi që Serbia ua bën shqiptarëve në Luginë. “Fushata e spastrimit etnik bëhet në mënyrë administrative… Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje”.
Sa i përket Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për euron, Kurti ka thënë se ajo s’e pengon Serbinë t’u ofrojë ndihma financiare serbëve. “Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve. Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, ka shtuar ai.
Kurti ia ka përmendur Vuçiqit edhe sulmin e shtatorit në Banjskë. Ai ka thënë se Serbia pati shpallur ditë zie, ndërsa ka akuzuar direkt Vuçiqin për financim e mbështetje të sulmit terrorist.
“Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, Policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist. E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë, pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kurti ka thënë po ashtu se nuk është befasi që Serbia nxit probleme nga veprimet e ligjshme të Kosovës. Ai ka kujtuar se Serbia udhëhiqet nga fytyra të larta të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në fund ai ka folur edhe për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit nga ana e Serbisë. Ka akuzuar Serbinë se nuk po i respekton pikat për të cilat janë dakorduar.
“Serbia refuzon dy obligime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, ka thënë Kurti.