Fëmijët e vegjël që shkojnë në çerdhe ose kopsht sëmuren shpesh, por kjo nuk do të thotë se kanë një sistem imunitar të dobët.
Sipas një studimi ndërkombëtar të publikuar në revistën shkencore “Nature Immunology”, sistemi imunitar i një foshnjeje është i programuar ndryshe nga ai i të rriturve dhe zhvillohet gradualisht gjatë viteve të para të jetës.
Studimi u realizua nga ekspertë të spitalit pediatrik “Bambino Gesù” në Romë, së bashku me institucione amerikane si Boston Children’s Hospital, Columbia University dhe Yale School of Medicine.
Sipas studiuesve, periudha më e rëndësishme për zhvillimin e imunitetit janë 1000 ditët e para të jetës, nga shtatzënia deri në moshën 2-3 vjeç.
Ekspertët shpjegojnë se foshnjat lindin me një sistem imunitar shumë fleksibël, i aftë të përshtatet me botën e jashtme. Në momentin që lindin, ato kalojnë nga mjedisi i mbrojtur i mitrës në një ambient plot me mikrobe dhe viruse.
Nëse sistemi i tyre imunitar do të reagonte me të njëjtën forcë si ai i një të rrituri, trupi do të përballej me inflamacion të tepërt dhe probleme autoimune.
Pikërisht për këtë arsye, organizmi i foshnjave është i “programuar” për të krijuar gradualisht ekuilibër me mikrobet dhe stimujt e jashtëm. Megjithatë, ekziston një ndryshim i madh mes imunitetit të fëmijëve dhe të rriturve: memoria imunitare.
Të rriturit kanë krijuar gjatë viteve “qeliza memorie”, falë infeksioneve të kaluara ose vaksinave. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël ende nuk i kanë këto mbrojtje. Kjo është arsyeja pse, kur fillojnë çerdhen ose kopshtin dhe ekspozohen ndaj shumë viruseve të rinj, sëmuren vazhdimisht.
Megjithatë, shkencëtarët ende nuk e kuptojnë plotësisht pse disa fëmijë sëmuren më shpesh se të tjerët, edhe kur janë rritur në të njëjtin ambient familjar.
Për të studiuar këtë fenomen, u krijua projekti ndërkombëtar “IDEAL” (Immune Development in Early Life), i cili ndjek zhvillimin e sistemit imunitar të qindra fëmijëve në vende të ndryshme të botës.
Në Itali, studiuesit po monitorojnë 273 fëmijë që nga lindja deri në moshën 6-vjeçare. Ata analizojnë faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë në zhvillimin e imunitetit, si vaksinat që ka marrë nëna gjatë shtatzënisë, ushqyerja me gji, stili i jetesës dhe faktorët mjedisorë.
Qëllimi kryesor është të kuptohet pse disa fëmijë janë më të predispozuar ndaj infeksioneve, astmës ose alergjive, ndërsa të tjerët jo. Studiuesit shpresojnë që në të ardhmen të mund të ndërhyjnë herët për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kronike.
Teknologjia moderne ka ndihmuar shumë këtë kërkim. Sot, shkencëtarët mund të analizojnë një sasi të madhe informacioni gjenetik dhe molekular nga vetëm një pikë gjaku, pa pasur nevojë për analiza të vështira tek foshnjat.
Studimi ka identifikuar pesë faktorë kryesorë që ndikojnë në 1000 ditët e para të jetës: vaksinat, kontaktin me kafshët, ndotësit kimikë, ndotjen industriale dhe ndotjen e ajrit.
Sipas rezultateve paraprake, ndotja e ajrit rezulton faktori më i dëmshëm. Ekspozimi ndaj grimcave të ndotjes dhe gazrave toksikë gjatë vitit të parë të jetës lidhet me rritjen e infeksioneve të frymëmarrjes, bronkiteve, bronkioliteve dhe problemeve me frymëmarrjen.
Shkencëtarët besojnë se në të ardhmen këto studime do të çojnë drejt “vaksinimit të personalizuar”, ku çdo fëmijë do të ketë një plan vaksinimi të përshtatur sipas nevojave dhe rrezikut individual.
Sipas ekspertëve, mbrojtja e 1000 ditëve të para të jetës, është një nga investimet më të rëndësishme për shëndetin e fëmijëve në të ardhmen. \tesheshi.com\

