Mbi 1.000 shkelje të rregullave të trafikut u regjistruan në RMV gjatë fundjavës, 34 persona të arrestuar

2 Min. Leximi

Gjatë fundjavës, policia regjistroi 1.026 shkelje të rregullave të trafikut në territorin e vendit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), duke shtuar se 34 persona u privuan nga liria për drejtim mjeti të pakujdesshëm. Sipas MPB-së, shkeljet e rregullave të trafikut u regjistruan në kuadër të kontrolleve të rregullta të kryera nga zyrtarët e policisë nga të gjitha sektorët e punëve të brendshme në rrugët në të gjithë vendin, transmeton Portalb.mk.

Nga gjithsej 1.026 urdhërpagesa të lëshuara, 316 shkelje, thuhet në njoftim, kanë të bëjnë me shoferë që nuk e kanë respektuar kufirin e shpejtësisë së përcaktuar.

Sa i përket shoferëve të ndaluar, nëntë përfunduan në stacion policie për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, njëri për shkak të ndalimit të lëshuar më parë për drejtim mjeti, ndërsa shumica e tyre, pra 24, u privuan nga liria për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë dy ditëve të fundit (16/17 maj 2026), 23 automjete u sekuestruan në përputhje me nenin 300-b të Kodit Penal (KP).

Sipas rishikimit statistikor të aktiviteteve policore për kontrollin e trafikut rrugor, gjatë fundjavës u regjistruan 164 shkelje për parkim të paligjshëm, si dhe 29 sanksione për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Përveç kësaj, 107 shoferë motoçikletash u sanksionuan për mosmbajtje të kaskës mbrojtëse, dhe pesë këmbësorë morën urdhra kundërvajtëse.

“Gjithashtu, u sanksionuan 99 që nuk përdorën rripat e sigurimit. Në përputhje me Ligjin për Automjetet, 15 automjete u hoqën nga trafiku sepse ishin të paregjistruara, ndërsa katër për shkak të defekteve teknike. Dy shoferë u sanksionuan gjithashtu për mospërmbushje të kushteve të përcaktuara në lidhje me errësimin e xhamave të automjeteve (folive)”, njoftoi MPB.

Ministria deklaron se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë në ditët në vijim dhe në këtë drejtim u bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut me qëllim rritjen e sigurisë rrugore në vend.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull