Irani: Portet tona janë gati të ofrojnë shërbime mbështetëse për anijet në Ngushticën e Hormuzit

2 Min. Leximi

Mes tensioneve të vazhdueshme rreth Ngushticës së Hormuzit, Irani tha sot se portet e vendit janë të gatshme të ofrojnë shërbime detare, mbështetje teknike, furnizime dhe ndihmë mjekësore për anijet që operojnë në Hormuz dhe në ujërat territoriale të rajonit, transmeton Anadolu.

Njoftimi u bë përmes një mesazhi të Organizatës së Porteve dhe Detarisë së Iranit drejtuar komandantëve të anijeve tregtare që operojnë në ujërat rajonale, raportoi agjencia zyrtare IRNA.

Sipas mesazhit, të gjitha anijet që lundrojnë në ujërat territoriale, veçanërisht ato që ndodhen në ujërat dhe portet iraniane, mund të përfitojnë sipas nevojës nga shërbime furnizimi, karburanti, shërbime shëndetësore dhe mjekësore, si dhe materiale mirëmbajtjeje.

Organizata tha se mesazhi do të transmetohet nëpërmjet rrjeteve të komunikimit detar dhe sistemeve me frekuencë shumë të lartë (VHF) në rajon tri herë në ditë për tri ditë.

Që nga 13 prilli, SHBA-ja ka zbatuar bllokadë detare që synon trafikun detar iranian në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore kyç për transportin ndërkombëtar, veçanërisht të naftës. Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani dhe ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhojnë marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi më vonë u zgjat nga presidenti amerikan Donald Trump pa afat të caktuar.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull