VLEN: Puna e ndershme meriton paga të drejta dhe kushte dinjitoze

2 Min. Leximi

Koalicioni qeveritar VLEN, me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka riafirmuar angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës në vend.

Në komunikatën e publikuar, VLEN vlerëson kontributin e punëtorëve në zhvillimin e shtetit dhe thekson se puna dinjitoze duhet të mbetet prioritet i institucioneve.

“Kjo ditë nuk është vetëm simbolikë, është kujtesë e përhershme se dinjiteti i punës duhet të mbrohet çdo ditë, me vendosmëri dhe me vepra konkrete,” thuhet në reagim.

Koalicioni thekson se gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të përmirësimit të standardit jetësor, duke përmendur rritjen e pagës minimale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm.

“Kemi rritur pagën minimale në 26.400 denarë neto, një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të standardit jetësor dhe drejt zvogëlimit të pabarazive. Kemi rritur pagat e punonjësve shëndetësorë, mësimdhënësve dhe kemi ndërmarrë masa të rëndësishme për mbështetjen e kategorive të ndryshme të shoqërisë,” thekson VLEN.

Në komunikatë përmenden edhe masat për pensionistët, punësimin dhe mbështetjen e biznesit vendor, përfshirë planin operativ për punësim dhe grantet për ndërmarrësi.

“VLEN do të vazhdojë me përkushtim të plotë për rritje të mëtejshme të pagave, për përmirësim të kushteve të punës, për siguri në vendin e punës dhe për krijimin e një ekonomie që vlerëson punën dhe njeriun,” thuhet më tej në reagim.

Koalicioni apelon për unitet rreth vlerave të punës, drejtësisë sociale dhe mirëqenies ekonomike, duke theksuar se “një shtet i fortë ndërtohet mbi punëtorë të respektuar”.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull