Haxhiu takon kreun e KQZ-së, diskutojnë përgatitjet për zgjedhjet e reja

2 Min. Leximi

Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, me të cilin diskutoi për hapat institucional në kuadër të shpalljes së zgjedhjeve të reja, raporton Anadolu.

Zyra e Presidentes njofton se në takim u theksua rëndësia e përgatitjes në kohë të të gjitha veprimeve që lidhen me organizimin e procesit zgjedhor, në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe standardet demokratike.

Gjatë takimit u diskutua për afatet ligjore, përgatitjet administrative, koordinimin ndërinstitucional, si dhe nevojën që procesi zgjedhor të zhvillohet pa vonesa dhe me standarde të larta profesionale.

Radoniqi pas takimit tha se kanë kërkuar 7 qershorin si datën më të vonshme të mundshme për të organizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

“Sa i përket datës, kemi kërkuar që të kemi sa më shumë kohë, na duhen përgatitje sepse nuk është proces i lehtë. I mbetet presidentes. Gjykata Kushtetuese e ka caktuar 31 majin ose 7 qershorin. Për ne është 7 qershori. Tash i mbetet presidentes të vendosë”, tha ai.

Takimi u mbajt një ditë pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues dhe si rrjedhojë Kosova detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditëve të ardhshme.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull