Partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka bërë të ditur se ka rënie serioze prej 61% të investimeve të huaja direkte në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, me vlerë totale prej vetëm 468 milionë euro. BDI njoftoi se të dhënat e publikuara në analizat rajonale për Investimet e Huaja Direkte në Ballkan kanë treguar një alarm serioz për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky është një nga rezultatet më të dobëta në rajon dhe sinjal i rëndë për ekonominë e vendit, ka theksuar BDI.
Partia opozitare, po ashtu ka thënë se investitori i huaj kërkon siguri juridike, institucione funksionale, stabilitet politik, dhe administratë profesionale. Sipas BDI-së, kur shteti prodhon pasiguri, tensione politike dhe mungesë drejtimi strategjik, kapitali zgjedh destinacione tjera.
BDI
“Rënia prej 61% nënkupton më pak vende pune, më pak prodhim, më pak paga më të mira dhe më pak mundësi për të rinjtë. Qeveria aktuale mori mandatin me premtime për zhvillim ekonomik dhe investime rekord. Sot bilanci është krejtësisht i kundërt. Izolimi politik i brendshëm, përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike, tensionimi me partnerët ndërkombëtarë dhe stagnimi në rrugën europiane po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta ekonomike”.
BDI njoftoi se për këtë gjendje duhet përgjegjësi e qartë politike, dhe se një qeveri që në pak kohë e kthen vendin në fund të rajonit për investime të huaja, sipas tyre nuk ka kredibilitet të kërkojë durim nga qytetarët. BDI sqaron se dorëheqja e kësaj qeverie është hapi i parë i domosdoshëm për rikthimin e besimit, stabilitetit dhe perspektivës zhvillimore të vendit. /SHENJA/

