Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se vendi mbetet i përkushtuar fuqimisht ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke e cilësuar atë si nxitësin kryesor të reformave, sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve, transmeton Anadolu.
Delegacioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut po merr pjesë në Asamblenë e 152-të të Unionit Ndërparlamentar, e cila po mbahet nga 15 deri më 19 prill 2026 në Stamboll.
Delegacioni udhëhiqet nga Kryetari i Kuvendit dhe shef i Delegacionit në Unionin Ndërparlamentar, Afrim Gashi, dhe përfshin deputetët Nikolla Micevski, Oliver Spasovski, Bekim Qoku, Boban Karapejovski, Arbana Pasholli dhe Jovana Mojsoska, si dhe Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, Marina Dimovska.
Tema kryesore për diskutim në Asamble është “Kultivimi i shpresës, konsolidimi i paqes dhe sigurimi i drejtësisë për brezat e ardhshëm”.
Gashi mori pjesë në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së 152-të të Unionit Ndërparlamentar, ku theksoi se bota po përballet me sfida serioze, duke përfshirë presione mbi demokracinë, një numër të madh konfliktesh dhe thellim të pabarazive socio-ekonomike.
Ai iu referua gjithashtu Marrëveshjes së Prespës, duke e cilësuar atë si shembull të zgjidhjes së suksesshme të kontesteve afatgjata përmes dialogut, guximit politik dhe respektit të ndërsjellë.
Në fjalimin e tij, kryeparlamentari theksoi se Kuvendi po punon në mënyrë aktive për përmirësimin e procesit legjislativ, përmes futjes së vlerësimeve të ndikimit dhe konsultimeve gjithëpërfshirëse me të gjitha palët e interesuara.
Ai shtoi se theks i veçantë po i vihet transformimit digjital dhe përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes masave për uljen e varfërisë, forcimin e tranzicionit energjetik dhe adresimin e sfidave ekologjike.
Duke iu referuar rolit të të rinjve, Gashi theksoi se pjesëmarrja më e madhe e tyre në proceset politike është e nevojshme për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe adekuat të brezave të ardhshëm.
Pritet që, pas përfundimit të debatit të përgjithshëm, Asambleja e 152-të të miratojë dokumentin përfundimtar mbi këtë temë.

